Botë

Regjistrimi i popullsisë në Kosovë, janë regjistruar mbi një milion e 200 mijë njerëz

07.05.2024 14:24

Prej 5 prillit në Kosovë ka filluar regjistrimi i popullsisë dhe amvisrive, ndërsa siç ka bërë të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës...

Prej 5 prillit në Kosovë ka filluar regjistrimi i popullsisë dhe amvisrive, ndërsa siç ka bërë të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës, deri më tani janë regjistruar një milion e 204 mijë e 560 qytetarë. Procesi po zhvillohet sipas planit, thonë nga Agjencia e Statistikave.  
 
“Janë regjistruar mbi 1,200 mijë banorë dhe ky numër është në kuadër të projeksioneve që i kemi bërë dhe jemi çdo ditë duke e përcjellë ecurinë e procesit në terren.”, - deklaroi kryeshefi ekzekutiv i ASK-së, Avni Kastrati.
 
Ai tha se në procesin e regjistrimit po marrin pjesë edhe komunitetet. 
 
“Të gjitha komunitetet janë duke marrë pjesë. Në disa komuna në veri, nga komuniteti serb ka ende një hezitim, por ka edhe një regjistrim nga ky komunitet në pjesën veriore, nga komuniteti serb. Një pjesë e tyre janë duke u regjistruar dhe besojmë se këto ditë që kanë mbetur do të regjistrohen një pjesë që kanë shprehur gatishmëri për t’u regjistruar.”, - theksoi kryeshefi ekzekutiv i ASK-së, Avni Kastrati.
 
Regjistrimi do të zgjasë deri më 17 maj, ndërsa nga Agjencia e Statistikave të Kosovës thonë se presin që procesi i regjistrimit të përfundojë me sukses. Sipas të dhënave të fundit të vitit 2011, Kosova ka mbi një milion e 700 mijë banorë.
 
GYLTENE SINANI