Gazë, Izraeli mori në kontroll kufirin në Rafah
Izraeli nisi ofensivën e tij të paralajmëruar...

Izraeli nisi ofensivën e tij të paralajmëruar prej kohësh dhe mori kontrollin e kalimit Rafah midis Rripit të Gazës dhe Egjiptit.
Operacioni vjen në prag të një raundi të ri negociatash për armëpushim në Kajro. Hamasi ka pranuar një propozim të Egjiptit dhe Katarit për armëpushim, për të cilin Izraeli thotë se nuk i plotëson kërkesat thelbësore dhe është një tjetër dredhi e grupit militant.
“Ne po e kërkojmë çdo mundësi për të negociuar kthimin e pengjeve në shtëpitë e tyre si një detyrë kryesore sa më shpejt të jetë e mundur, duke vazhduar në të njëjtën kohë operacionet tona në Rripin e Gazës.", - deklaroi zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes Izraelite, Daniel Hagari.
Pasi Izraeli evakuoi mijëra njerëz nga qyteti jugor, komuniteti ndërkombëtar i konsideroi veprimet të papranueshme.
“Lajmi i fundit i keq është se nuk ka marrëveshje për armëpushim. Hamasi e pranoi, Izraeli e refuzoi dhe ofensiva tokësore kundër Rafahut filloi pavarësisht të gjitha kërkesave të komunitetit ndërkombëtar.”, - theksoi përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell.
“Ne e kemi thënë shumë qartë, nuk e mbështesim ndërhyrjen në Rafah. Jemi të shqetësuar për ndikimin humanitar.”, - u shpreh kryeministri i Australisë, Antoni Albanese.
“Komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë diçka. Ne bëjmë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm në Gazë. Në të njëjtën kohë, mbështesni Palestinën që të bëhet një shtet anëtar i plotë i Kombeve të Bashkuara.”, - deklaroi presidenti i Kinës, Xi Jinping.
“Ne ishim të lumtur me deklaratën e Hamasit se ata e pranuan armëpushimin. Izraeli tani duhet të ndërmarrë të njëjtin hap. U bëj thirrje të gjithë aktorëve perëndimorë që të bëjnë presion mbi Izraelin.”, - theksoi presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan.
Edhe Uashingtoni theksoi përsëri se ata nuk mbështesin një operacion në Rafah. Ata konfirmuan se drejtori i CIA-s ndodhet në rajonin e Lindjes së Mesme për të lehtësuar bisedimet.
“Ne nuk kemi parë një plan humanitar që është i besueshëm dhe që është i zbatueshëm, dhe ne besojmë se një operacion ushtarak në Rafah tani do të rriste në mënyrë dramatike vuajtjet e popullit palestinez, viktimat civile dhe do të pengonte dërgimin e ndihmave humanitare.", - theksoi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Metju Miller.
Kombet e Bashkuara kanë shprehur shqetësimin për ndikimin e mundshëm të ofensivës izraelite në Rafah mbi 1.4 milionë njerëz.
“Një pushtim tokësor në Rafah do të ishte i patolerueshëm për shkak të pasojave të tij katastrofike humanitare dhe për shkak të ndikimit të tij destabilizues në rajon.”, - u shpreh sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
Kombet e Bashkuara kanë shprehur shqetësimin për ndikimin e mundshëm të ofensivës izraelite në Rafah mbi 1.4 milionë njerëz. Ndërkohë, Hezbollahu tha se kreu një sulm me dron në një qytet në Izraelin verior. (Belinda Koka – Ademi, TVM2)
