Botë
Papa Françesku: Vrasja e armenëve është "gjenocidi i parë i shekullit 20"
12.04.2015 15:33
Papa Françesku, sot, me rastin e shënimit të 100-vjetorit të vrasjes masive të armenëve nga ushtarët otomanë...

Papa Françesku, sot, me rastin e shënimit të 100-vjetorit të vrasjes masive të armenëve nga ushtarët otomanë, gjatë Luftës së Parë Botërore, gjatë fjalimit të tij e përdori fjalën "gjenocid", që sipas mediumeve mundet seriozisht t'i përkeqësojë marrëdhëniet ndërmjet Vatikanit dhe Turqisë.
Mëtutje, gjatë meshës së sotme në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, duke e shënuar 100 vjetorin e kësaj tragjedie, Papa tha se “në shekullin e kaluar familja jonë njerëzore kishte jetuar nëpër tri tragjedi masive dhe të paprecedente: e para, që gjërësisht është konsideruar si gjenocidi i parë i shekullit 20-të, e goditi popullin tuaj armen”.
Me këto fjalë Papa Françesk e citoi deklaratën e paraardhësit të tij, Gjon Pali i Dytë, dhe patrikut armen në vitin 2000.
Papa Françesk ishte së bashku me patrikun e Armenisë, Nerses Bedros XIX Tarmouni, në meshën e sotme, ku janë përfshirë edhe rituale të Kishës Katolike Armene.
Raportohet se ishte i pranishëm edhe presidenti i Armenisë, Serzh Sarkisian.
Shfrytëzimi i fjalës "gjenocid" me siguri se do ta zemërojë Turqinë, e cila pranon se armenët janë vrarë në numër të madh, por gjithnjë e përmend të dhënën se qindra mijëra turq janë vrarë gjatë gjakderdhjes para 100 vjetësh./mia
