KShZ: Me të drejtë vote mbi një milion e 800 mijë votues
08.05.2024 10:21
Që nga ora 7 e mëngjesit të sotëm, qytetarët e vendit u janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur presidentin e ri të vendit...

Që nga ora 7 e mëngjesit të sotëm, qytetarët e vendit u janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur presidentin e ri të vendit, si dhe përbërjen e re parlamentare. Në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, të drejtë vote kanë një milion e 814 mijë e 317 zgjedhës, ndërsa në zgjedhjet parlamentare të drejtë vote kanë një milion e 815 mijë e 350 zgjedhës.
Diferenca në vota është për njëmijë e 33 vota, për shkak të moshës madhore të qytetarëve. Votimi zhvillohet në 3.480 qendra votimi dhe votuesit do të mund të vizitojnë qendrën e votimit dhe të votojnë vetëm një herë gjatë ditës prej orës 7 deri në ora 19:00.
Të drejtën e votës për rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale kishin mundësi ta shfrytëzojnë 11 mijë e 123 persona të sëmurë dhe të paaftë, ndërsa për zgjedhjet parlamentare ky numër ishte më i madh për 102 votues ose 11 mijë e 225 të sëmurë dhe të pafuqishëm. Gjithashtu, në 14 vendvotime në Institucionet Ndëshkuese Përmirësuese për zgjedhjet presidenciale të drejtë vote kishin 2.147 votues, ndërsa në listën zgjedhore për zgjedhjet parlamentare janë regjistruar 2.140 votues.
Të shtunën të drejtë vote kishin edhe 534 votues të përkujdesur në 20 institucione të përkujdesit jashtëfamiljar dhe dy persona të zhvendosur brenda vendit.
Në diasporë u votua vetëm për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në 31 vendvotime, ndërsa interesim për të votuar kishin shprehur 2.569 votues. Votimi për zgjedhjet parlamentare në diasporë nuk u organizua, për shkak se nuk është regjistruar numër i mjaftueshëm i qytetarëve që kanë shprehur interesim për të votuar.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
