Ekonomi

Jan Peter Olters, politika fajtore për gjendjen e rëndë sociale

12.04.2015 16:01

Për gjendjen e rëndë socio-ekonomike në Kosovë, shefi i Bankës Botërore në Kosovë, Jan Peter Olters, fajëson udhëheqësit politik të pushtetit dhe opozitës...

Në një intervistë për Gazetën Fjala, ai thotë se kjo nuk do të mund të tejkalohet nëse liderët në vend nuk fillojnë të mendojnë përtej interesave afatshkurtëra partiake.

I pari i Bankës Botërore në Kosovë vlerëson se Kosova ka disa avantazhe të mëdha për zhvillim.

Ndër to janë resurset minerare, popullësia e re dhe qasja në tregun e madh evropian. Megjithatë, ai përmend edhe problemet me këto resurse siç është edhe rasti me kombinatin metalurgjik Trepça.

“Trepça, ka katër sfida në vete. Sfida politike se kush është pronar i saj, sfida ambientale, sfida financiare me shumat e mëdha të borxheve dhe sfida infrastrukturore.  Nuk është në fazën në të cilën do të mund të prodhonte”, thotë Olters.

Por për të transformuar ekonominë, sipas tij, kërkohet zbatim i ligjit dhe forcim i sistemit gjyqësor.

Gjithashtu duhet energjia elektrike dhe krijimi i kushteve të favorshme për të zhvilluar ndërmarrje të vogla dhe të mesme dhe tërheqja e investimeve të huaj.

Këto investime fillimisht duhet të kërkohen tek kosovarët që jetojnë jashtë vendit të cilët me remitenca kanë pasur një rol në zhvillimin ekonomik të Kosovës, thot ai, duke theksuar nevojen e lehtesimeve dhe më shumë garanci për investimet nga jasht.

Njëherit shefi i Bankës Botërore në Kosovë, Jan Peter Olters shtron edhe nevojën e edukimit cilësor të kuadrove pasi siç thot ai janë disa fakultete që janë të forta dhe prodhojnë shumë të diplomuar, por janë disa fusha që nuk janë të mjaftueshme, prandaj kemi të diplomuar të cilët nuk mund të gjejnë punë, dhe në të njëjtën kohë kemi kompani që kërkojnë puntorë e nuk mund ti gjejnë.

FLUTURA LATIFI