Maqedoni
Zgjedhjet 2024, MPB: Ka pasur denoncime për shkelje
08.05.2024 18:36
Ministria e Punëve të Brendshme deri në mesditë nuk ka regjistruar ndonjë shkelje serioze...

Ministria e Punëve të Brendshme deri në mesditë nuk ka regjistruar ndonjë shkelje serioze të rendit dhe qetësisë publike gjatë votimit. Zëdhënësi Toni Angellovski thotë se në përgjithësi procesi është zhvilluar qetë dhe pa probleme.
“Nga hapja e vendvotimeve deri në orën 11:00 janë regjistruar dy paraqitje për stendë të vendosur të një partie politike në afërsi të vendvotimit në Shuto Orizarë, si dhe për ngjitje të pllakateve dhe shpërndarje të fletushkave në rajonin e Çairit në Shkup. Gjithashtu kemi paraqitje për agjitim në Tetovë, Shkup, Kumanovë, fshatin Banicë, rajonin e Strumicës dhe Bogovinës, por pas masave të ndërmarra nga ana e nëpunësve policorë, ato deri më tani nuk janë konfirmuar.”, - deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Toni Angelovski.
PP: Ka pasur ngjarje tipare të veprës penale
Edhe nga Prokuroria Publike, me vlerësim të njëjtë. Dita e sotme e zgjedhjeve deri në mesditë ka kaluar në mënyrë të qetë dhe pa ndonjë shkelje serioze të procesit zgjedhor.
“Bëhet fjalë për një numër të vogël ngjarjesh që mund të kenë tipare të veprës penale, kështu që mund të japim një vlerësim të përgjithshëm se i gjithë procesi zgjedhor ka kaluar qetë dhe pa shkelje të mëdha të procesit zgjedhor.”, - theksoi Xhelal Bajrami nga Prokuroria Publike.
Nga MPB-ja, gjatë ditës vazhdimisht kanë bërë apel deri tek qytetarët të përmbahen nga incidentet dhe çfarëdo lloj shkelje të procesit zgjedhor ta paraqesin në stacionin më të afërt policor.
ARMEND MURSELI
