Botë
Izraeli vazhdon ofensivën mbi Rafah, qindra të vdekur dhe të plagosur, zbulohet edhe një varr masiv
09.05.2024 14:14
Izraeli vazhdon ofensivën ushtarake në qytetin Rafah në Rripin e Gazës....

Izraeli vazhdon ofensivën ushtarake në qytetin Rafah në Rripin e Gazës. Edhe pas diskutimeve për armëpushim në Kajro mes përfaqësuesve të të dyja palëve të konfliktit, Izraeli nuk i përmbahet marrëveshjes. Vetëm gjatë 2 ditëve janë vrarë 100 civilë, kryesisht gra dhe fëmijë. Gjatë ditës gjithashtu është zbuluar një varr i tretë masiv në spitalin Al-Shifa. “Rreth 50 trupa deri më tani janë zhvarrosur dhe përpjekjet janë ende duke u zhvilluar për të kërkuar më shumë.”, njoftojnë autoritetet në Gazë. Banorët e Gazës nuk besojnë që Izraeli do t’i përmbahet marrëveshjes dhe ndjehen të lodhur nga lufta.
"Ata, ushtria izraelite na goditën me dy raketa pa paralajmërim paraprak. Ky është një akt kriminal. Tetë persona ranë dëshmorë në lagjen tonë, mes tyre edhe fëmijë të vegjël. Mendoj se negociatat janë të kota me Izraelin. Ata kanë thënë se do të shpallin një armëpushim dhe do të arrijnë marrëveshje, por janë vetëm duke gënjyer.", - tha banori i Gazës, Ismail Samer Eid.
"Mjaft me zhvendosjen e njerëzve, mjaft me dëbimin e njerëzve. Mjaft me vrasjet, shkatërrimet. Ne jemi një popull që kërkon paqen, që dëshiron të jetojë. Ne e duam jetën. Ne nuk mund të durojmë më vdekje dhe vrasjet.”, - theksoi tregtari nga Deir Al-Balah, Abdelmajid Al-Kurd.
“Dashtë Zoti, ata do të pranojnë një marrëveshje armëpushimi, sepse ne jemi shumë të rraskapitur nga lufta. Duam të qeverisemi nga njerëz që ndjejnë që janë të drejtë. Gaza është shkatërruar plotësisht.”, - tha një banor i zhvendosur, Ahmed Fadel.
"Ka turma masive njerëzish që janë zhvendosur nga Rafah në zonën qendrore këtu, pasi atje kanë filluar bombardimet izraelite. Nuk ka vend në Deir Al-Balah. E gjithë zona qendrore nuk mund të strehojë asnjë grup njerëzish që ikin nga Rafahu.”, - theksoi një banor i Deir Al-Balah, Abu Adnan Al-Rajes.
Në sulmet e Izraelit kundër Rripit të Gazës që nga 7 tetori e deri më tani, numri i personave që kanë humbur jetën ka arritur në 34.904, ndërsa i të plagosurve në 78.514. Gjithashtu në deklaratë thuhet se nën rrënoja dhe përreth rrugëve ende ka kufoma të të vrarëve dhe se ekipet shëndetësore dhe të Mbrojtjes Civile nuk kanë mundur të mbërrijnë tek trupat, për shkak se pengohen nga forcat izraelite.
FARIJE DAUTI BAKIJU
