Maqedoni
Zgjedhja e Siljanovskës për presidente, urime nga Brukseli, ShBA-ja dhe vendet fqinje
09.05.2024 15:05
Pas fitores së Siljanovska Davkovës në zgjedhjet presidenciale arritën urime nga Brukseli, por edhe nga fqinjët....

Pas fitores së Siljanovska Davkovës në zgjedhjet presidenciale arritën urime nga Brukseli, por edhe nga fqinjët. Komisionari Evropian për Zgjerimin, Oliver Varhej, pret përshpejtim të reformave në rrugën drejt BE-së.
“Me padurim presim të punojmë me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova, për të përshpejtuar reformat e nevojshme për të ecur përpara në procesin e negociatave të anëtarësimit me BE-në.”, ka shkruar Varheji.
Urime drejtuar Siljanovskës edhe nga ambasadorja e ShBA-së në RMV, Angela Ageler.
“Urimet e mia të përzemërta për zgjedhjen e Gordana Siljanovska Davkova si presidente e parë femër e Maqedonisë së Veriut. Urime edhe për të gjithë ata qytetarë që ushtruan dje të drejtën e votës në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin synimet tuaja për sigurinë, prosperitetin dhe integrimin euroatlantik të vendit.”, ka shkruar Angela Ageler.
Urim dhe mesazh të ngjashëm shprehu edhe ambasadori i BE-së në RMV, Dejvid Gir.
“Uroj Gordana Siljanovska Davkovën për zgjedhjen e saj për presidente të Maqedonisë së Veriut. Pres bashkëpunim të ngushtë me të për të ardhmen evropiane të vendit.”, ka shkruar Gir.
Ndërkohë presidenti bullgar, Radev, thotë se së shpejti do të qartësohet nëse presidenti i sapozgjedhur i Maqedonisë dhe i VMRO-DPMNE-së do të punojnë për perspektivën evropiane të vendit.
“Gjithmonë e kam mbështetur integrimin evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut, por në përputhje me parimet e fqinjësisë së mirë dhe mbi të gjitha kriteret e Kopenhagës për anëtarësim dhe kjo do të nënkuptonte ndryshimin e Kushtetutës dhe respektimin e të drejtave të bullgarëve të Maqedonisë.”, thotë Radevi.
Zgjedhjet e dyfishta në Maqedoni dhe fitorja bindëse e VMRO-DPMNE-së, është një nga temat kryesore edhe në mediat greke. Duke përcjellë rezultatet, ata komentojnë se është një triumf i madh, theksojnë se vendi do të ketë presidente femër për herë të parë në histori, por edhe analizojnë se çfarë do të thotë ardhja e VMRO-DPMNE-së në pushtet për marrëdhëniet me Greqinë. Për fitoren, Siljanovskën e kanë përgëzuar edhe liderët nga rajoni.
FLUTURA LATIFI
