Botë
Izrael, dështojnë negociatat për armëpushimin e Gazës
10.05.2024 13:58
Izraeli është gati të qëndrojë i vetëm dhe të shkojë deri në fund në luftë për të mposhtur Hamasin...

Izraeli është gati të qëndrojë i vetëm dhe të shkojë deri në fund në luftë për të mposhtur Hamasin, thotë Netanjahu, pas njoftimeve të ShBA-së për të ndaluar dërgimin e armëve, për shkak të operacionit të planifikuar në Rafah.
Ushtria ka gjithçka që i nevojitet për të vazhduar misionin e saj, pretendon mbrojtja e Izraelit. Uashingtoni është i mendimit se ofensiva në Rafah mund të çojë në një fitore strategjike të Hamasit dhe të forcojë pozicionet e tyre në tryezën e bisedimeve.
Pas ShBA-së, Gjermania po shqyrton gjithashtu ndalimin e dërgesave të armëve për aleatin e saj me shpresën se Tel Avivi do të ngadalësojë dhe nuk do të lejojë që konflikti të përshkallëzohet.
Ndërsa luftimet vazhdojnë në lindje të Rafahut, situata humanitare përkeqësohet. UNRWA tha se po mbyllte përkohësisht selinë e saj në Jerusalemin Lindor pasi "ekstremistët izraelitë" vunë zjarrin në perimetër pas javëve të protestave dhe sulmeve.
Ndërkohë, Egjipti me një apel të ri drejtuar dy palëve ndërluftuese, që të jenë më fleksibil dhe t'i japin fund luftës, pasi negociatat e fundit në Kajro për një armëpushim në Gazë përfunduan pa marrëveshje.
