Botë

Gazë, Izraeli i vendosur në luftën kundër Hamasit

10.05.2024 16:28

Izraeli është i vendosur të shkojë deri në fund në luftën për të mposhtur Hamasin

Izraeli është i vendosur të shkojë deri në fund në luftën për të mposhtur Hamasin, edhe pse pa përkrahje. Pas njoftimeve të ShBA-së për të ndaluar dërgimin e armëve për shkak të operacionit të planifikuar në Rafah, ushtria ka gjithçka që i nevojitet për të vazhduar misionin e saj, pretendon Netanjahu.
 
"Ne jemi të bashkuar për të mposhtur armikun tonë, nëse duhet - do të luftojmë dhëmbë e thonj dhe së bashku do të fitojmë.", - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
 
“Ushtria ka municion për misionet e planifikuara në Rafah. E them këtë në kontekstin e gjithçkaje që ka ndodhur me ShBA-në.”, - theksoi zëdhënësi i Ushtrisë Izraelite, Daniel Hagari.
 
Uashingtoni është i mendimit se ofensiva në Rafah mund të çojë në një fitore strategjike të Hamasit dhe të forcojë pozicionet e tyre në tryezën e bisedimeve.
 
“Shpresojmë që të mos ketë ofensivë, ky do të jetë rezultati më i mirë për të gjithë. Ne mendojmë se ata do të arrijnë qëllimin për të mposhtur Hamasin dhe batalionet që janë në Rafah, pa rrezikuar më tej civilët.", - u shpreh zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Metju Miller.
 
Pas ShBA-së, Gjermania po shqyrton gjithashtu ndalimin e dërgesave të armëve për aleatin e saj me shpresën se Tel Avivi do të ngadalësojë dhe nuk do të lejojë që konflikti të përshkallëzohet. Ndërsa luftimet vazhdojnë në lindje të Rafahut, situata humanitare përkeqësohet.
 
UNRWA tha se mbylli përkohësisht selinë e saj në Jerusalemin Lindor pasi "ekstremistët izraelitë" vunë zjarrin në perimetër pas javëve të protestave dhe sulmeve.
 
“Që kur është mbyllur vendkalimi nuk ka pasur fare ndihmë. Deri tani kemi diçka, tani asgjë. Kur shkojmë të kërkojmë diçka nga agjencia UNRWA, ata thonë se nuk kanë mundësi dhe asgjë nuk kanë në dispozicion.”, - u shpreh palestinezi, Shahed Al-Kuqa.
 
Ndërkohë, Egjipti me një apel të ri drejtuar dy palëve ndërluftuese, që të jenë më fleksibël dhe t'i japin fund luftës, pasi negociatat e fundit në Kajro për armëpushim në Gazë përfunduan pa marrëveshje.
 
FITORE DEMOLLI