Botë

Shteinmeier: Putin nuk do të ftohet në samitin G7

12.04.2015 18:03

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nuk do të ftohet për të marrë pjesë në samitin e shtatë vendeve udhëheqëse industriale...

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nuk do të ftohet për të marrë pjesë në samitin e shtatë vendeve udhëheqëse industriale, që mbahet në Bavari të Gjermanisë, këtë qershor, ka deklaruar minsitri i jashtëm gjerman Frank-Valter Shteinmeier.
 
Në intervistën e publikuar sot në gazetën, Die Welt, Shteinmeier tha se nuk është në interesin e askujt që të izolohet Rusia, por për aneksimin ilegal të Krimesë së Ukrainës nga ana e Moskës, “ne nuk mund të veprojmë se nuk ka ndodhur asgjë dhe të punojmë si zakonisht”.
 
Mëtutje, zyrtari i lartë gjerman ka theksuar se do të ishte e dëshirueshme që Rusia të involvohet në zgjidhjen e krizave në Siri, Jemen dhe Libi, por tash për tash, çështja e ripërtritjes së G8-tës, është e mbyllur.
 
“Për tu kthyer në G8, duhet të respektohet uniteti i Ukrainës dhe implementimi i obligimeve ruse nga marrëveshja e Minskut”, thekson kryediplomati gjerman.
 
Edhe vitin e kaluar, liderët e shtatë vendeve më të zhvilluara indisutrialisht në botë, Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara, e kanë mbajtur samitin pa Rusinë, në shenjë të protestës ndaj aksioneve të Rusisë në Ukrainë.