OKB, votohet rezoluta për statusin e palestinezëve

11.05.2024 12:47

Rezoluta për përmirësimin e statusit të palestinezëve në Kombet e Bashkuara....

Rezoluta për përmirësimin e statusit të palestinezëve në Kombet e Bashkuara, duke përfshirë anëtarësimin e plotë të Palestinës në Organizatën Botërore, u votua me shumicë dërrmuese në Asamblenë e Përgjithshme.

Për rezolutën votuan 143 vende, nëntë ishin kundër, duke përfshirë SHBA-në dhe Izraelin ndërsa 25 vende abstenuan. Miratimi i rezolutës shkaktoi skandal në Kombet e Bashkuara, pasi përfaqësuesi izraelit në dysheme grisi statutin e organizatës botërore.

“Përderisa kaq shumë prej jush i urrejnë hebrenjtë, nuk ju intereson që palestinezët nuk janë paqësorë. Pavarësisht angazhimit tuaj ndaj Kartës së OKB-së, ju zbuloni këtu se çfarë do të thotë vërtet Karta për ju. Bëhet fjalë për jetët e izraelitëve dhe hebrenjve, statuti i OKB-së nuk do të thotë asgjë për ju. Për ju, Karta e OKB-së është vetëm një dokument i pakuptimtë dhe ky votim do ta vërtetojë këtë” – tha Ambasadori izraelit në OKB, Gilard Erdan.

SHBA e ka bërë të qartë se do të bllokojë anëtarësimin dhe shtetësinë palestineze derisa negociatat e drejtpërdrejta me Izraelin të zgjidhin çështjet kyçe, duke përfshirë sigurinë, kufijtë dhe të ardhmen e Jerusalemit.

Australia ishte ndër vendet që e mbështetën rezolutën. Për kryeministrin Albanes, vendimi është në përputhje me qëndrimin e vendit të tij për zgjidhjen e krizës në Lindjen e Mesme, duke krijuar dy shtete.

“Është e mundur të mbështeten të drejtat e njeriut të palestinezëve pa denigruar të drejtat e njeriut të qytetarëve izraelitë. “Që në ditën e parë kam thënë se çdo jetë është e rëndësishme në Lindjen e Mesme, qoftë ajo izraelite apo palestineze” – u shpreh Kryeministri i Asutralisë, Entoni Albanes.

Ndërkohë, pavarësisht kundërshtimit të fortë të publikut ndërkombëtar, Izraeli po intensifikon ofensivën e tij në jug të Rripit të Gazës.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara i ka bërë thirrje Tel Avivit që të përfundojë urgjentisht sulmet në Rafah, përndryshe do të shkaktojë një fatkeqësi humanitare me përmasa epike.

“I bëj thirrje përsëri Izraelit dhe Hamasit që të tregojnë guxim politik dhe të mos kursejnë asnjë përpjekje për të arritur një marrëveshje për të ndalur gjakderdhjen dhe për të liruar pengjet”. Situata në Rafah është në prag të katastrofës. Në pjesën jugore të Gazës, ka mbi një milion palestinezë, gjysma e të cilëve janë fëmijë”. – deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guteresh.

Edhe Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Llojd Ostin, kërkoi që civilët në Rafah që janë në rrugën e ushtrisë izraelite të largohen nga rreziku. Franca bëri thirrje për ndalimin e menjëhershëm të operacionit ushtarak në Rafah. (Meral Ismaili, TVM2)