Fronti Europian: Në Qeveri me parti që mbështesin Ndryshimet kushtetuese

11.05.2024 16:25

Liderët e Frontit Europian...

Liderët e Frontit Europian të kryesuar nga lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, apeluan para strukturave të tyre partiake, se ky Front ka qenë fituesi absolut i zgjedhjeve, dhe se pa kyçjen e këtij Fronti në Qeverinë e ardhëshme të vendit, shqiptarët nuk do të jenë të përfaqësuar denjësishtë.

Në këtë takim, lideri i Frontit Europian, Ali Ahmeti, ka prezantuar edhe deklaratën të cilën e kishte nënshkruar me liderët e partive opozitare, apo përfaqësuesit e partive të cilat participojnë në VLEN.

Ky dokument sipas liderit të Integristëve, Ali Ahmeti, ishte i nënshkruar më datë 13 janar, në të cilën qartë thuhet se të njëjtit shprehin një angazhim të fortë për bashkëpunim dhe qeverisje vetëm me ato parti politike që mbështesin ndryshimet kushtetuese për integrimin e vendit në BE.

“Në rrethana specifike siç jemi ne, janë demokracia koncesuale dhe legjitimiteti. Këtu jemi të pranishëm të gjithë ne të cilët bartim legjitimitetin, dhe të gjithë ata të cilët e duan paqen, demokracinë dhe ardhmërinë. Ky dokument i nënshkruar, është i deponuar, dhe ne të gjithë nënshkruesit e dimë mirë se ku e kemi deponuar” – tha Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

“Shumë e rëndësishme është në jetë që njeriu të nderon fjalën e tij, dhe bazuar në këto principe, ne jemi zotuar, se në si aleancë për shqiptarët, kuptohet që do të nderojmë fjalën tonë, dhe do ti vazhdojmë deri në fund zotimet që i kemi marrë përpara qytetarëve, prandaj edhe njëher nderone fjalën tuaj, sepse e nderoni vetvetën” – u shpreh Kryetari i ASH-së, Zijadin Sela.

“Qëllimi I Frontit nuk është beteja destruktive me askënd. Hyrja në Qeveri ka kuptim vetëm nëse ke potencial që ti realizojsh premtimet. Ka qenë një luftë e rëndë, nuk ka qenë aq e lehtë, por do të tregojmë mëtutje, se kush ka luftuar kundër frontit” – deklaroi Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.

Ahmeti si lider i Frontit poashtu ka theksuar se ato janë fituesit e zgjedhjeve dhe se janë bartës të legjitimitetit tek shqiptarët, dhe se emocionet duhet të lihen pas shpine, dhe të mendohet në të ardhmen e vendit.

Ahmeti e ka quajtur edhe terror psikologjik fushatën e aplikuar në rrjetet sociale për mundësinë e ikjes së disa deputetëve nga Fronti Evropian. (Fitim Kryeziu, TVM2)