Formimi i Qeverisë, VMRO dhe VLEN dakordohen për bashkëpunim

11.05.2024 17:52

VMRO – DPMNE nisi bisedimet me koalicionin VLEN....

VMRO – DPMNE nisi bisedimet me koalicionin VLEN. Kreu i VMRO-së, Hirstijan Mickoski në zyrat e VLEN takoi liderët e partive Izet Mexhiti, Bilall Kasami, Arben Taravari dhe Afrim Gashi. Palët kanë rënë dakord për bashkëpunim në formimin e qeverisë së ardhshme.

“Siç jeni dëshmitarë sot, ishin përfaqësuesit e partisë politike VMRO – DPMNE në zyrat e VLEN. Së bashku në takim për fillim të negociatave me liderët e koalicionit VLEN. Negociatat shkojnë në drejtim të duhur. Lart poshtë, nga e hëna fillojnë të formohen edhe grupet për të realizuar negociatat.” – tha Bashkim Bakiu nga VLEN.

Kryetari I VMRO – DPMNE-së, Hristijan Mickoski, por edhe partia e tij nëpërmjet një komunikate kanë njoftuar për frymën pozitive të takimit.

“Janë dakorduar parimet e përgjithshme për bashkëpunim për qeverinë e ardhshme, e cila do të bazohet në tre postulate: eurointegrime, zhvillim i përshpejtuar ekonomik, luftimin e krimit e korrupsionit dhe sundimin e së drejtës. Është konstatuar se dyja palët do të formojnë grupe të punës, nëpërmjet të cilave do të vazhdojnë bisedimet deri në finalizimin e tyre”, - thuhet në komunikatë e VMRO – DPMNE-së.

Ditë më parë kreu i VMRO-së, Hristijan Mickoski, morri mbështetjen edhe të 21 partnerëve të koalicionit parazgjedhor “Maqedonia Jote”.

Sipas afateve kushtetuese, Mickoski do të duhet të formojë qeverinë deri në fund të qershorit. Në zgjedhjet e 8 majit, koalicioni i kryesuar nga VMRO- DPMNE, siguroi 58 deputetë, ndërkaq VLEN 13. (Meral Ismaili, TVM2)