Inaugurimi i Siljanovskës, presidentja, betim solemn në Kuvend: Fokusi, avancimi i grave në politikë
Presidentja Gordana Siljanovska Davkova....

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova me marrjen e detyrës dha betimin solemn para deputetëve në Kuvend se do të jetë president i të gjithë qytetarëve pa dallime dhe do të respeketojë parlamentin, të majtët dhe djathtistët, njësoj.
Siljanovska Davkova tha se tani është koha për unitet, ndërkaq pjesën më të madhe të fjalimit ia dedikoi përfshirjes së grave në politikë, se si ajo mund të jetë një ogur i mbarë për përfaqësimin sa më të lartë të tyre në poste menaxheriale të shtetit.
“Kur do të emëroj, ose kur do të propozoj anëtarët e Këshillit Gjyqësor, ose Gjykatës Kushtetuese ose të cilitdo organ, kuptohet se do të nisem nga profesionalizimi dhe gatishmëria. E dini pse? Sepse gratë janë atje, në funksionet e vërteta ku vlerësohet profesionalizmi. Për fat të keq nuk janë në politikë. Andaj, unë jam e lumtur që do të inspiroj gra të tjera. Nëse unë mund të jem president, mund të jeni dhe ju.” – tha Presidentja e re e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova.
Siljanovska tha se kabineti i saj presidencial në vila Vodno do të përfaqësohet nga të gjitha etnitë, por profesionalizmi do të ketë përparësi.
Përpos avancimit të gruas, atë e brengos edhe sundimi i së drejtës dhe ardhëmria e të rinjëve. Ftoi deputetët në bashkëpunim edhe nëse vendos veto për ligje të caktuara.
“Nga ju deputetë dhe deputete kërkoj të keni mirkuptim për fjalimet e mia, për veton time eventuale, për meritokracinë time në politikën e jashtme dhe në fund sundimi i së drejtës është ajo që mund ta bëj shtetin vend evropian. Sundim i së drejtës, e jo sundim i disa personave, disa burrave.” – u shpreh Presidentja e re e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova.
Sipas presidentes Siljanovska Davkova vendi ka ende shanse për një ardhmëri më të mirë. Fjalimi i saj u ndoq nga gjithë aktorët politik, sektorit joqeveritar si dhe kori diplomatik i akredituar në vend. (Meral Ismaili, TVM2)
