Botë
Zelenski: Ofensiva ruse duhet të ndalet
13.05.2024 13:42
Ukraina po i kundërpërgjigjet ofensivës që filloi ushtria ruse para pak ditësh...

Ukraina po i kundërpërgjigjet ofensivës që filloi ushtria ruse para pak ditësh në lindje të Ukrainës. Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski bën thirrje për ndalimin patjetër të ofensivës.
Ofensiva e fundit ruse në lindje të Ukrainës po has në rezistencë të fortë pasi Ukraina ka filluar kundërsulme në rajonin e Kharkivit. Për presidentin ukrainas, Volodimir Zelenski, ndalimi i përparimit të trupave ruse mbetet detyra kryesore më urgjente, trupat duhet “t’i rikthejnë Ukrainës iniciativën”, tha ai në një fjalim me video në fundjavë.
Presidenti ukrainas, theksoi se “përmbushja e kësaj detyre varet nga çdo ushtar, çdo nënoficer, dhe çdo oficer”. Megjithatë gjendja mbetet e vështirë. Kreu i trupave të armatosura ukrainase, Oleksandër Sirskij foli të dielën për gjendje të vështirë në verilindje të vendit. Por trupat ukrainase po bëjnë të pamundurën për të ruajtur pozicionet.
“Trupat tona prej dy ditësh po zhvillojnë kundërsulme.”, e përshkroi Zelenski situatën. Kievi ka dërguar ndërkohë përforcime në drejtim të Kharkivit.
“Shkatërrimi i planeve të ofensivës ruse është tani detyra numër 1.″, bëri të ditur Zelenski si parashikim për javët dhe ditët e ardhshme”, duke shtuar se pushtuesi duhet ta dijë, se askund nuk do ta ketë të lehtë në Ukrainë.
