Botë
Bruksel, të mërkurën takimi i radhës për dinarin
13.05.2024 15:00
Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë takimin e radhës për çështjen e ndalimit të përdorimit...

Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë takimin e radhës për çështjen e ndalimit të përdorimit të dinarit serb në Kosovë, më 15 maj, konfirmoi zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.
Duke folur për takimin e radhës për çështjen e dinarit, Stano tha se BE-ja pret që palët të dëshmojë gatishmëri për gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme praktike, e cila sipas tij, do t’i ndihmonte qytetarët e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës.
“Presim që palët të kenë sjellje evropiane dhe të gjejnë një zgjidhje kompromisi. Kryenegociatorët mëtojnë të gjejnë zgjidhje përmes diskutimeve konfidenciale, e këto janë mënyra evropiane për gjetjen e zgjidhjeve. BE-ja vazhdon t’iu ndihmojë atyre që të gjejnë kompromisin që është i nevojshëm, sepse kjo ndikon në jetën e njerëzve.”, tha Stano.
Sipas tij, hezitimi për të gjetur zgjidhje për çështjen e dinarit është duke ndikuar edhe në çështjet tjera me të cilat nuk po merren në dialog, për shkak se fokusi tash është në këtë çështje. Ai tha se prioritet mbetet zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve, që Kosova dhe Serbia arritën vitin e kaluar.
