Zgjedhjet 2024, KShZ-ja shqyrton kundërshtimet e partive

13.05.2024 16:49

Komisioni Shtetëror Zgjedhor është duke i shqyrtuar 27 ankesat...

Komisioni Shtetëror Zgjedhor është duke i shqyrtuar 27 ankesat e dorëzuara të partive politike për 120 vendvotime për zgjedhjet e 8 majit. Një pjesë e ankesave, respektivisht 9, janë dorëzuar nga koalicioni VLEN, 8 nga VMRO-DPMNE, 5 nga LSDM dhe 4 nga partia “E Majta”, dhe të gjithë kanë të bëjnë me përmbledhjen e rezultateve të zgjedhjeve në njësinë e 5-të dhe të 6 zgjedhore.

Kryetari i KShZ-së, Aleksandar Dashkovski dhe anëtarët e tjerë, nuk pranuan propozimin e nënkryetares së KShZ –së, Ditmire Shehu, që disa procesverbale të publikohen në ueb - faqen e KShZ-së.

Shehu u shpreh e habitur nga numri i ankesave të parashtruara, edhe pse siç tha ajo, zgjedhjet e dyfishta, fillimisht u pranuan si korrekte, demokratike dhe pa shkelje ligjore nga të gjitha partitë politike.

“Edhe pse gjithë procesi ka ecur pa shkelje ligjore të cilin e kemi konfirmuar edhe ne si anëtarë të KShZ-së disa herë radhazi, për çudi në afatin ligjor për dorëzimin e ankesave nga disa pjesëmarrës, të cilët fillimisht edhe vetë e kanë pranuar se ky proces zgjedhor ishte i lirshëm dhe demokratik, janë dorëzuar ankesa për 120 vendvotime. Kërkoj këtë propozim që procesverbalet numër 16 dhe për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare dhe procesverbalin 21 e të dy proceseve zgjedhore të publikohen në ueb-faqen e KShZ-së dhe këtë propozim pike e kërkoj që të vihet në rend dite.”, - deklaroi nënkryetarja e KShZ-së, Ditmire Shehu.

“Propozimi i nënkryetares e hedh në votim kush është “për”, kush është “kundër”? Konstatoj se propozimi i nënkryetares nuk u pranua.”, - theksoi kryetari i KShZ-së, Aleksandar Dashtevski.

“Dëshiroj t’i shpjegojë opinionit se sipas Kodit Zgjedhor, çdo procesverbal në vendvotim është informacion publik ku çdo këshill zgjedhore ka për detyrë ta publikojë në vendvotimin e caktuar ku do të jetë i qasshëm për opinionin dhe e dyta punë është se ne në ueb faqen tonë në rubrikën e “rezultateve” rezultatet preliminare që i vendosim janë në bazë të këtyre procesverbaleve numër 16 dhe nuk duhet të ketë huti se këto procesverbale nuk janë publike.”, -  u shpreh anëtari i KShZ-së, Boban Stojanovski.

Nëse një pjesë e këtyre kundërshtimeve miratohen dhe vendoset për rivotim në disa vendvotime të caktuara, kjo mund të sjellë ndryshime në rezultatin përfundimtar zgjedhor për garuesit. 

Nëse kundërshtimet hidhen poshtë nga KShZ-ja, atëherë dorëzuesit e këtyre kundërshtimeve kanë të drejtë brenda 24 orëve të dorëzojnë padi deri tek Gjykata Administrative, e cila ka për detyrë të marrë vendim brenda afatit 48 orësh.

Paraprakisht, “Fronti Evropian” i përbërë me 9 parti politike doli me akuza se këto ankesa partiake kanë për qëllim t’ua marrë dy mandate. (Rexhep Qamili, TVM2)