Botë
Rusia vazhdon sulmet në Harkiv
14.05.2024 13:56
Katër persona janë plagosur në sulmet e reja ruse në qytetin e Harkivit në verilindje të Ukrainës...

Katër persona janë plagosur në sulmet e reja ruse në qytetin e Harkivit në verilindje të Ukrainës, thanë zyrtarët ukrainas.
Një burrë dhe tri gra u plagosën nga granatimet e forcave ruse në orët e para të së martës, tha Oleh Sinehubov, guvernator i rajonit të Harkivit, ku gjendet edhe qyteti me po të njëjtin emër.
Sinhubovi shkroi në Telegram se Rusia sulmoi qytetin e dytë më të madh të Ukrainës me bombat e reja UMPB D-30, që janë bomba me precizitet të lartë dhe veprojnë sikurse raketat lundruese.
Përdorimi i këtyre lloj bombash nuk ka mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur, ndërkaq Moska ende nuk ka komentuar për këto pretendime të Ukrainës.
Si Ukraina, ashtu edhe Rusia, thonë se nuk sulmojnë civilët në luftën që Moska nisi kundër Kievit në shkurt të vitit 2022.
Sulmet e reja ruse në Harkiv po ndodhin në ditën kur sekretari amerikan i Shtetit, Antoni Blinken, po qëndron në Ukrainë në një vizitë të paparalajmëruar, gjatë së cilës do të takohet me krerët shtetërorë ukrainas.
