Botë
Vazhdojnë bombardimet izraelite mbi Rafah, dhjetëra të vdekur dhe të ngujuar nën rrënoja
14.05.2024 15:01
Pavarësisht paralajmërimeve të Izraelit që palestinezët të largohen nga Rafahu...

Pavarësisht paralajmërimeve të Izraelit që palestinezët të largohen nga Rafahu, në zona të tjera më të sigurta, bombardimet kanë vazhduar në të gjithë Rripin e Gazës, ku janë vrarë dhjetëra civilë dhe shumë të tjerë janë ende nën rrënoja. Nuk janë kursyer as pjesëtarët e Organizatave ndërkombëtare që dërgojnë ndihma në Gazë.
"Ne ishim të zhvendosur në Rafah dhe hebrenjtë na kërkuan të ktheheshim në këtë zonë dhe zona të tjera të sigurta. Ne u kthyem në zona të sigurta dhe ngritëm një tendë. Mbaruam me çadrat dhe u ulëm të pushojmë, por pastaj na ranë me raketa. Dymbëdhjetë veta ranë dëshmor, disa të tjerë u plagosën rëndë. Nën rrënoja janë nëntë njerëz ende të bllokuar. Të gjithë janë civilë, askush nuk është i përgatitur për luftë.”, - tha një banor i Gazës.
"Unë erdha nga Rafahu në kërkim të një vendi për të ngritur kamp, por nuk gjetëm. Kështu shkuam në shtëpinë e një të afërmi në lagje. Kur arritëm aty, shtëpia u godit dhe shkatërrua. Ne ramë nga tre kate. Ka shumë dëshmorë nën rrënoja.”, - tha një tjetër banor i Gazës.
“Sekretari i përgjithshëm dënon të gjitha sulmet ndaj personelit të OKB-së dhe bën thirrje për një hetim të plotë. Ai i dërgon ngushëllimet e tij familjeve të anëtarëve të personelit që janë vrarë. Konflikti në Gazë që vazhdon të marrë një taksë të rëndë jo vetëm për civilët, por edhe për punonjësit humanitarë. Sekretari i përgjithshëm përsërit apelin e tij urgjent për një armëpushim të menjëhershëm humanitar dhe për lirimin e të gjithë pengjeve.”, - deklaroi zëvendës zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Farhan Haq.
Por, Izraeli duket se nuk e ka në plan të heqë dorë nga lufta, pavarësisht thirrjes së ShBA-së që të ndërpresë ofensivën e paralajmëruar në Rafah.
“Asnjëherë nuk do ta harrojmë marrjen e pengjeve dhe dhunën e ushtruar ndaj shtetasve tanë izraelitë. Nuk do ta harrojmë as ne dhe nuk do të lejojmë askush në botë ta harrojë këtë krim dhe do të bëjmë të pamundurën që t’i kthejmë pengjet e rrëmbyera.”, - theksoi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës, që nga 7 tetori 2023 e deri më tani, janë vrarë 35.173 palestinezë, përfshirë të paktën 14.944 fëmijë dhe 9.849 gra, ndërsa 78.827 të tjerë janë plagosur. Nën rrënoja ende ka mijëra të vdekur, ndërsa po shkatërrohet infrastruktura civile duke shënjestruar spitalet dhe institucionet arsimore ku është strehuar popullata.
FARIJE DAUTI BAKIJU
