Maqedoni
Anëtarësimi në BE, IRI: 68% e qytetarëve të RMV-së, pro anëtarësimit
14.05.2024 15:19
Nëse sot do të mbahej një referendum me pyetjen nëse do ta mbështesnin anëtarësimin e vendit...

Nëse sot do të mbahej një referendum me pyetjen nëse do ta mbështesnin anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, 68 për qind e qytetarëve të Maqedonisë do të përgjigjeshin pozitivisht. Këtë e tregon sondazhi i opinionit publik të Institutit Republikan Ndërkombëtar - IRI, të kryer në vendet e Ballkanin Perëndimor.
Mbështetja është më e lartë në Shqipëri, me 92 për qind, kurse më e ulët në Serbi, ku 40% e qytetarëve do të jepnin përgjigje pozitive për një referendum të tillë.
“Ekziston një dëshirë e fortë në të gjithë Ballkanin për të forcuar lidhjet me ekonomitë perëndimore dhe për t'u anëtarësuar në BE. Kjo mbështetje e gjerë tregon se njerëzit në të gjithë rajonin besojnë se integrimi i mëtejshëm në Bashkimin Evropian mund të ndihmojë në arritjen e prosperitetit të qëndrueshëm.”, - deklaroi drejtori për Evropën në IRI, Paul McCarthy.
Anketa nxjerr në pah edhe shqetësimin e qytetarëve për drejtimin e shtetit. Madje, 78% prej 1.220 të anketuarve kanë deklaruar se shteti po shkon në drejtim të gabuar. Shumica e qytetarëve, madje 90% theksojnë se vendi ka problem serioz me korrupsionin, ndërkaq për këtë, fajtor është politika dhe gjyqësori.
Sipas sondazhit shumëkombësh për Ballkanin Perëndimor, një shumicë e madhe në pesë nga gjashtë vendet ku u krye sondazhi e konsideron të pajustifikuar agresionin rus kundër Ukrainës. Në Serbi, nga ana tjetër, pothuajse gjysma e të anketuarve e justifikojnë plotësisht ose disi Rusinë.
“Edhe pse këto shifra janë kryesisht pozitive, përgjigjet serbe janë shqetësuese. Nëse paqja dhe siguria janë synime afatgjata në Ballkan, një opsion më i mirë për Serbinë do të jetë të refuzojë propozimet ruse dhe të ndërtojë lidhje më të forta me Perëndimin.”, - theksoi drejtori për Evropën në IRI, Paul McCarthy.
Çështjet ekonomike janë prioritete për qytetarët. Përveç Shqipërisë, ku papunësia ishte problemi kryesor, çmimet e larta dhe kostoja e jetesës janë shqetësimi më i madh për qytetarët në pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Sondazhi i IRI-it u zhvillua nga data 2 shkurt deri më 5 mars. Të dhënat u mblodhën përmes intervistave ballë për ballë, në një kampion prej 1.036 dhe 1.238 qytetarësh, në varësi të vendit.
BELINDA KOKA ADEMI
