Maqedoni
Vendimi i KShZ-së për rivotim, Aziri: KShZ-ja keqpërdori institucionin
14.05.2024 16:00
Pas vendimit të KShZ-së për rivotim në disa vendvotime në njësinë zgjedhore 5 dhe 6...

Pas vendimit të KShZ-së për rivotim në disa vendvotime në njësinë zgjedhore 5 dhe 6, reaguan partitë politike. Ilmi Aziri nga “Fronti Evropian”, vendimin e cilësoi si keqpërdorim brutal të institucionit të KShZ-së, si dhe tentativë për vjedhje partiake të mandateve Frontit.
Ai paralajmëroi se përveç që i kanë njoftuar të gjitha institucionet ndërkombëtare, vendimin e KShZ-së do ta ankimojnë në Gjykatën Administrative.
“Në mënyrë jo të drejtë dhe me mbivotim si në kohërat e monizmit në KShZ u soll vendim për rivotim në disa vendvotime, ku fitues janë palët ankimuese, të cilët votuesit e tyre po i emërojnë si hajdut, duke poshtëruar kështu një elektorat të tërë. Menjëherë pas marrjes së vendimit, të njëjtin do ta ankimojmë një Gjykatën Administrative, ku do të dëshmohet tentativë e koordinuar politike e partive maqedonase dhe opozitës shqiptare për t’i marrë mandatet e “Frontit Evropian”, të cilat i ka fituar nga sovrani.”, - deklaroi Ilmi Aziri nga “Fronti Evropian”.
Jakimovski: Na janë vjedhur shumë vota
Koalicioni “Guximshëm për Maqedoninë” akuzon se u janë vjedhur më shumë se 600 vota në tre njësi zgjedhore. Ata paralajmëruan ankesë deri te Gjykata Administrative, por edhe padi penale kundër KShZ-së dhe kryetarit të këtij institucioni, Aleksandar Dashtevski. Jakimovski tha se votat e vjedhura janë në njësinë zgjedhore 1, 2 dhe 5 dhe i janë kaluar koalicionit VLEN dhe "Frontit Evropian".
“Në këtë inxhinieri zgjedhore është përfshirë edhe KShZ-ja. Informacionet tona thonë se kjo është bërë edhe gjatë zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, por edhe në ciklet e mëparshme zgjedhore. Qëllimi është që partive më të vogla, që nuk kanë vëzhgues në qendrat e votimit, t’u merret një numër i caktuar votash, të cilat më pas do të kalojnë në partitë më të mëdha për të marrë më shumë deputetë.”, - theksoi kryetari i GROM-it, Stevço Jakimovski.
Sabriu: U konstatuan parregullsi dhe vjedhje votash
Për koalicionin VLEN me vendimin e fundit të KShZ-së është dëshmuar se “Fronti Evropian” nuk ka kapacitet për zgjedhje fer dhe demokratike, kjo pasi vetëm nga hapja e kutive në 7 vendvotime në njësinë zgjedhore 6, u konstatuan parregullsi në 4 vendvotime.
“Imagjinoni, vetëm me 7 kuti të votimit të hapura u konstatuan parregullsi dhe vjedhje e votës në 4 prej tyre. Kjo dëshmon qartë se pse BDI-ja sot është në panik. Ata janë në panik, jo vetëm se do të shkojnë në opozitë dhe do të mbajnë përgjegjësi për keqpërdorime dhe shkeljen e ligjit, por gjithashtu sepse dje me hapjen e kutive u vërtetua se ata përmes keqpërdorimit të mekanizmave të pushtetit, kërcënimeve, shantazheve, presionit dhe trenit bullgar, kanë tentuar dhe kanë deformuar vullnetin e popullit dhe rezultatin zgjedhor.”, - u shpreh Fatmir Sabriu nga VLEN-i.
Pas vendimit të KShZ-së për rivotim në 4 vendvotime, afati 24 orësh për ankesa në Gjykatën Administrative po ecë. Ndërsa Gjykata Administrative ka 48 orë për të vendosur për ankesat e palëve. Rivotimi eventual do të bëhej më 22 maj.
SANIJE DURAKU
