Botë

Bruksel, nis takimi i kryenegociatorëve

15.05.2024 13:10

Ka nisur takimi i përbashkët i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviqit...

Ka nisur takimi i përbashkët i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviqit, me ndërmjetësimin e emisarit evropian Miroslav Lajçak, ku vazhdojnë diskutimet për atë që quhet “çështja e dinarit”.
 
Është ky takimi i shtatë me radhë në kuadër të dialogut ku po trajtohet e vetmja temë – mënyrat e zbatimit të rregullores së BQK-së lidhur me pagesat me para të gatshme. Nga 1 shkurti sipas rregullores së BQK-së, e vetmja valutë për pagesë me para të gatshme është euro.
 
Emisari evropian Miroslav Lajçak qysh në muajin mars ka prezantuar një zgjidhje kompromisi, e cila ishte e pranueshme për palën kosovare.
 
Nuk ka detaje rreth përmbajtjes së propozimit, por thuhet se ai është akoma në tryezë. Vet Lajçaku rishtazi nëpërmjet rrjeteve sociale ka bërë të ditur se pret qasje konstruktive të palëve në takimin e sotëm në mënyrë që të gjendet mënyra për të ecur përpara.