Botë
Izrael-Hamas, një miliard dollarë ndihmë amerikane për Izraelin
15.05.2024 17:02
ShBA-ja po dërgon miliarda dollarë ndihmë për Izraelin. Tanke...

ShBA-ja po dërgon miliarda dollarë ndihmë për Izraelin. Tanke, mortaja dhe automjete të blinduara janë pjesë e dërgesës së re, pasi administrata më parë vendosi në pritje një transferim armësh prej 3.500 bombash, për shkak të shqetësimeve për viktimat civile.
Ushtria izraelite pretendon se operon në tre zona, në veri, në qendër dhe në jug. Që nga fillimi i operacionit në Rafah, ata kanë eliminuar rreth 100 militantë.
“Aktualisht tre divizione po luftojnë në Gazë në tre zona të ndryshme. Në jug të Rripit, operacionet e synuara vazhdojnë kundër objektivave terroriste dhe pikave të nxehta të Hamasit në zonën e Rafahut.”, - deklaroi zëdhënësi i Ushtrisë Izraelite, Daniel Hagari.
Operacioni tokësor izraelit ka zhvendosur sërish popullsinë, kriza humanitare po thellohet, sipas organizatave ndërkombëtare. Pentagoni thotë se grupet humanitare janë gati për dërgesat e para përmes rrugës detare të ShBA-së.
“Në ditët në vijim, Shtetet e Bashkuara si pjesë e një përpjekjeje ndërkombëtare në koordinim me Kombet e Bashkuara dhe Programin Botëror të Ushqimit do të fillojnë lehtësimin e dërgimit të ndihmave humanitare në Gazë përmes Korridorit Detar të Qipros. U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të mos ndërhyjnë në dërgimin e ndihmave humanitare.”, - theksoi zëdhënësi i Pentagonit, Pat Rajder.
Izraeli tha se i takon Egjiptit të rihapë kalimin në Rafah dhe të lejojë ndihmën humanitare në Rripin e Gazës. Ministria e Jashtme egjiptiane u kundërpërgjigj se Izraeli është përgjegjës për krizën dhe se operacionet ushtarake në Rafah janë faktori kryesor që bllokon ndihmën. Sërish tone pesimiste nga Katari, negociatat për një armëpushim janë në bllokim.
“Ka një hendek mes dy palëve për sa i përket objektivit kryesor. Një zgjidhje që mund të pranohet nga të dyja palët nuk është një detyrë e lehtë. Vlerësimi ynë i deritanishëm është se jemi ende në ngecje, por po vazhdojmë përpjekjet tona me vëllezërit tanë në rajon dhe me miqtë tanë në ShBA për të lëvizur ujin e ndenjur.”, - u shpreh zëdhënësi i MPJ-së së Katarit, Majed Al Ansari.
Në kohë lufte, palestinezët në mbarë botën përkujtojnë Nakban, ditën kur paraardhësit e tyre u detyruan të linin shtëpitë e tyre 76 vjet më parë gjatë luftës arabo-izraelite. (Ersan Pajaziti, TVM2)
