Palevski e kaloi natën prapa grilave në Shutkë, në fazë përfundimtare hetimi për vrasjen e Vanjës

16.05.2024 15:04

Ljupço Palevski - Palço, i dyshuari për kidnapimin....

Ljupço Palevski - Palço, i dyshuari për kidnapimin dhe vrasjen e 14-vjeçares, Vanja Gjorçevska dhe 74-vjeçarit, Pançe Zhezhovski, ka kaluar natën e parë prapa grilave të burgut të Shutkës pasi mbrëmë u  ekstradua nga Turqia në Maqedoninë e Veriut. Nga burgu i Shutkës informojnë se ai po mbahet nën masa të posaçme sigurie. Vetëm një pjesë e caktuar e rojeve të burgut janë përgjegjës për të. Procedurat diktojnë që gjyqtari i procedurës paraprake në koordinim me prokurorin publik ta marrë në pyetje Palevskin.

Seanca në gjykatë do të jetë vetëm për t'i dhënë atij mundësinë të jep deklaratë në lidhje me arsyet për të cilat ai u ndalua gjatë kohës që ishte në arrati, por në të cilat ai ende qëndron. Prokuroria Themelore Publike konfirmoi se hetimi është në fazë përfundimtare.

“Pas ekstradimit të të dyshuarit të parë nga Republika e Turqisë, prokurori publik vazhdon të ndërmarrë veprimet hetimore për rastin e rrëmbimit dhe vrasjes së Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit. Për pesë të dyshuarit, hetimet janë në fazën përfundimtare.”, thonë nga Prokuroria Publike e Shkupit.

Ministria e Drejtësisë shprehu mirënjohjen e saj për autoritetet turke.

“Ministria e Drejtësisë dhe ministri Krenar Lloga shprehin mirënjohjen e tyre për autoritetet turke, veçanërisht për ministrin e Drejtësisë së Republikës së Turqisë, Jilmaz Tunç, për reagimin e shpejtë dhe marrjen e të gjitha masave për ekstradimin e Ljupço Palevskit. E gjithë procedura u krye në një periudhë relativisht të shkurtër prej më pak se pesë muajsh, kjo është një shenjë e mirë për shoqërinë dhe një mesazh që drejtësia do t'ju arrijë kudo që të jeni!”, thuhet në njoftimin me shkrim të Ministrisë së Drejtësisë.

Përveç Palevskit, janë edhe 4 të dyshuar, mes të cilëve edhe babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski, i cili së fundmi është në arrest shtëpiak pasi Gjykata e Lartë ia zëvendësoi dënimin me burg.

Ai dyshohet se ka ndihmuar në rrëmbimin e vajzës së tij.

Trupat e dy viktimave u gjetën më 3 dhjetor pasi disa nga të dyshuarit zbuluan lokacionet ku ishin varrosur.

Palevski ishte në arrati dhe pas lëshimit të një urdhërarresti ndërkombëtar, ai u arrestua më 5 dhjetor në qytetin turk Balikesir. (Sanije Duraku, TVM2)