Izrael, krizë në Lindjen e Mesme
Kryeministri i Izraelit thotë se vendi i tij...

Kryeministri i Izraelit thotë se vendi i tij nuk ka asnjë mënyrë për t'u përgatitur për një vizion të pasluftës për Gazën derisa Hamasi të mposhtet. Kushti i parë për të nesërmen është eliminimi i armikut, është kategorik Netanjahu. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Galant, reagoi ndaj deklaratës së tij, duke paralajmëruar se duhet të gjejë një lidership alternativ.
“Sundimi ushtarak në Gazë do të bëhet përpjekja kryesore e sigurisë dhe ushtarake për Izraelin në vitet e ardhshme, në kurriz të arenave të tjera. Çmimi i paguar do të jetë gjakderdhja dhe shumë viktima pa qëllim, si dhe një kosto e lartë ekonomike. Kjo është arsyeja pse unë nuk do të pajtohem me krijimin e një administrate ushtarake izraelite në Gazë, Izraeli nuk duhet të ketë kontroll civil mbi Rripin e Gazës.”, - deklaroi ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Joav Galant.
Netanjahu ndërkohë përgjigjet duke thënë se nuk është gati ta zëvendësojë Hamasin me Fatahun.
“Për sa kohë Hamasi mbetet i pamposhtur, asnjë palë tjetër nuk do të përfshihet në menaxhimin e civilëve në Gazë. 80 për qind e palestinezëve në Jude dhe Samari mbështesin masakrën e tmerrshme të 7 tetorit. Unë nuk jam gati të zëvendësoj Hamasin me Fatahun.”, - theksoi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Në të njëjtën kohë, ofensiva në Rafah po zgjerohet. Komuniteti ndërkombëtar i bën thirrje Tel Avivit të ndalojë menjëherë planin. Hamasi pretendon se kanë miratuar propozimin e armëpushimit, por Izraeli i solli negociatat në një bllokim.
“Kohët e fundit ne shpallëm miratimin tonë të propozimit të paraqitur nga Egjipti dhe Katari, por Izraeli iu përgjigj këtij propozimi duke pushtuar kalimin e Rafahut dhe duke e kontrolluar atë, në fakt filloi agresionin ndaj qytetit, duke i vënë negociatat në ngërç.”, - u shpreh kreu i Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Hanijeh.
Egjipti i është bashkuar çështjes së Afrikës së Jugut kundër Izraelit për të parandaluar gjenocidin në Rripin e Gazës.
“Është një hap në përputhje me perspektivën ligjore të asaj që po ndodh në Gazë dhe detyrimeve sipas traktatit për të parandaluar gjenocidin. Ishte e nevojshme të mbështetej rasti që u soll para Gjykatës Ndërkombëtare të drejtësisë. Dhe është e nevojshme që komuniteti ndërkombëtar të punojë për të bindur Izraelin që të respektojë armëpushimin.”, - theksoi ministri i Punëve të Jashtme të Egjiptit, Sameh Shukri.
Sirenat tingëllojnë në Izraelin verior. Shkëmbim i ri zjarri me Hezbollahun. Sulme të reja nga Houthis edhe në Detin e Kuq. Pas një pushimi të shkurtër, Shtëpia e Bardhë njoftoi Kongresin se do të dërgonte 1 miliard dollarë ndihmë ushtarake për Izraelin. (Belinda Koka Ademi, TVM2)
