Gazë, ShBA-ja ka nisur dërgesat me ndihma
Kamionë me ndihmat e nevojshme humanitare për Rripin e Gazës...

Kamionë me ndihmat e nevojshme humanitare për Rripin e Gazës kanë kaluar për herë të parë përmes portit të ri të ndërtuar nga Shtetet e Bashkuara për në enklavën e rrethuar, pasi Izraeli ka kufizuar kalimet nëpër kufijtë tokësor.
Zyrtarët ushtarakë amerikanë thanë se presin që deri në 150 kamionë me ndihma të hyjnë në Rripin e Gazës, në kohën kur Izraeli po vazhdon luftën në jug, në qytetin e Rafahut, kundër Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga ShBA-ja dhe Bashkimi Evropian.
Por, ShBA-ja dhe grupet e ndihmës kanë paralajmëruar se projekti i portit nuk mund të shihet si zëvendësim për dërgesat tokësore, të cilat do të mund të sillnin të gjithë ushqimin, ujin dhe karburantin e nevojshëm në Gazë.
Suksesi i operacionit për dërgesën e ndihmave vihet në rrezik nga sulmet, pengesat logjistike dhe për shkak të rritjes së mungesës së furnizimeve me karburante për kamionët që bartin ndihma.
Kjo pasi Izraeli ka bllokuar dërgesat e karburanteve për në Rripin e Gazës pas nisjes së luftës më 7 tetor.
