Drafti për statutin e Asociacionit, MPJ: Do të shkruhet deri në fund të majit

17.05.2024 14:35

Deri në fund të majit, Kosova do ta shkruajë draft-statutin e Asociacionit....

Deri në fund të majit, Kosova do ta shkruajë draft-statutin e Asociacionit. Kështu janë zotuar përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës në letrën adresuar Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, “Letra e dërguar në Këshillin e Evropës është konkretizim i zotimeve të mëparshme, në mesin e të cilave është edhe zotimi i krerëve të shtetit në prill të vitit 2024.”, thonë nga Ministria e Jashtme e Kosovës.

Eskobar: Implementimi i Asociacionit, vendimtar për Kosovën

Ndërkohë në ditën e fundit të mandatit si Emisar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, në një intervistë për Qendrën për Evropë të Këshillit Atlantik ka thënë se Asociacioni është vendimtarë për Kosovën, prandaj do të duhej insistuar më shumë në implementimin e tij.

“Interpretimi dhe implementimi i Asociacionit është absolutisht vendimtar për Kosovën. Është më i vështiri, prandaj si më i vështiri, ishte e rëndësishme që Kosova të jepte sinjal se ka vullnet të adresojë çështjen e minoritetit serb në territorin e saj.”, - theksoi emisari i ShBA-së për Ballkanin, Gabriel Eskobar.

Ai ka thënë se pranimi i propozimit evropian do t’u jepte mundësi amerikanëve që të lobonin te shtetet evropiane që nuk e kanë njohur Kosovën, për ta bërë këtë. (Gyltene Sinani, TVM2)