Gjykata Administrative shqyrton ankesat e “Frontit Evropian” kundër KShZ-së

17.05.2024 16:22

Gjykata Administrative në seanca të ndara publike...

Gjykata Administrative në seanca të ndara publike po shqyrton 7 ankesat e parashtruara nga koalicioni “Fronti Evropian”, i udhëhequr nga BDI-ja, kundër vendimeve të Komisionit Shtetëror Zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të 8 majit. Gjykata, gjegjësisht Këshillat në Gjykatën Administrative, vendimin përfundimtar do të bëjë të ditur rreth mesnatës kur edhe skadon afati për vendosjen e ankesave të paraqitura dhe në bazë të vendimit do të bëhet e ditur nëse ka bazë për rivotim në shtatë vendvotime, gjashtë prej të cilave janë në njësinë zgjedhore 5 dhe një vendvotim në njësinë zgjedhore 6. 

Nga “Fronti Evropian” nuk janë pajtuar me vendimin e KShZ-së. Ndërsa reagim ka pasur edhe nga kryeministri, Talat Xhaferi.

Reagim i disa anëtarëve të KShZ-së: Të palejueshme kërcënimet dhe akuzat ndaj KShZ-së

Ndaj këtyre deklaratave ka pasur reagim të KShZ-së. Nga ky institucion thonë se janë të ekspozuar ndaj presioneve të pabaza dhe të papërshtatshme politike publike dhe kërcënimeve për përgjegjësi penale, për shkak të vendimeve të KShZ-së.

“Për KShZ-në, janë të papranueshme dhe të patolerueshme sulmet, presionet dhe ndërhyrjet e partive të caktuara politike dhe individëve nga Qeveria teknike në procedurat zgjedhore, si dhe në punën dhe vendimmarrjen e KShZ-së dhe Gjykatës Administrative. Për të gjitha këto, sot në mbledhjen e KShZ-së është njoftuar ambasadorja e misionit vëzhgues të OSBE-ODIHR-it, Xhillian Strik.”, thuhet në reagimin me shkrim të KShZ-së, që nuk është nënshkruar vetëm nga nënkryetarja, Ditmire Shehu, e cila është e nominuar nga BDI-ja.

VLEN: BDI i bën presion Gjykatës Administrative

Nga koalicioni VLEN dyshojnë se BDI-ja po ndërhyn dhe po ushtron presion ndaj Gjykatës Administrative. Ata bëjnë thirrje deri tek Administrativja, që të mos ndikohen nga presionet politike, por të japin vendimin bazuar në burime e fakte ligjore.

“Deklaratat e Bujar Osmanit, Talat Xhaferit dhe të tjerëve nga rangu i tyre, janë ndërhyrje klasike e BDI-së, për të ushtruar presion ndaj Gjykatës Administrative dhe kjo është një shkelje e qartë e pavarësisë së gjyqësorit, që rrezikon integritetin e procesit gjyqësor dhe zgjedhor. Bëjmë thirrje tek Gjykata Administrative, që të mos ndikohen nga presionet politike, por të japin vendimin bazuar në burime e fakte ligjore. Ne duam të besojmë në sundimin e ligjit dhe në pavarësinë e institucioneve, përfshirë gjykatat.”, thuhet në komunikatën me shkrim të VLEN-it.

Sipas rregullave zgjedhore, nëse ka një rivotim në ato vende ku janë regjistruar rreth një mijë zgjedhës, kjo mund të ndikojë në koeficientin zgjedhor.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve do të presë vendimet e Gjykatës Administrative, varësisht prej vendimit do të nisë përgatitjet për rivotimin që duhet të mbahet të mërkurën më 22 maj. (Sanije Duraku, TVM2)