Taravari: Javën e ardhshme, marrëveshja për Qeverinë
Bisedimet mes VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit VLEN...

Bisedimet mes VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit VLEN për formimin e Qeverisë së re vazhdojnë, madje njëri nga liderët e koalicionit, Arben Taravari, thotë se deri të premten e ardhshme do të arrihet marrëveshja finale për qeverisjen e ardhshme.
“Unë besoj se javën e ardhshme përfundojnë negociatat. Ekipet punojnë intensivisht për programin, por njëkohësisht do të fillojë edhe ndarja e resorëve, pastaj edhe për eshalonin e tretë. Tash për tash është një atmosferë shumë pozitive, ka kuptueshmëri nga të dyja anët. Jam shumë optimist se deri të premten besoj që do ta kemi marrëveshjen finale për qeverisjen e ardhshme.”, - deklaroi Arben Taravari nga VLEN-i.
Taravari nuk e përjashton mundësinë të jetë pjesë e Qeverisë
I pyetur nëse Taravari do të jetë pjesë e përbërjes së kabinetit të ri qeveritar, ai ka thënë se dëshiron ta mbyllë mandatin si kryetar komune në Gostivar, por nuk e përjashtoi mundësinë për t’u bërë pjesë e ekzekutivit.
“Në parim e kam thënë se dua ta çoj deri në fund mandatin, por nëse ka sugjerime se duhet të jem në Qeveri, edhe nuk e përjashtoj mundësinë.”, - theksoi Arben Taravari ngaVLEN-i.
Paraprakisht edhe kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski, i cili pritet të jetë mandatar për formimin e Qeverisë së re, ka thënë se tanimë ka siguruar përkrahjen e 61 deputetëve, pa dhënë më shumë detaje se për cilët deputetë bëhet fjalë.
Ndërkohë në bisedimet e deritanishme, qoftë në nivel liderësh apo të grupeve të punës, mes VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit VLEN nuk janë dhënë detaje për çështjen e ndarjes së resorëve.
Ajo që deri më tani është bërë publike janë parimet e veprimit të Qeverisë së re, siç janë: rritja e dinamikës së integrimeve evropiane, lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe reformat ekonomike që synojnë rritjen e standardit jetësor. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)
