Prokuroria Themelore në Strugë, dy kallëzime të reja ndaj Merkos
Prokuroria Themelore në Strugë....

Prokuroria Themelore në Strugë ka ngritur dy kallëzime të reja kundër kryetarit të komunës së Strugës, Ramiz Merko.
Njëra nga akuzat ka të bëjë me emërimin e drejtorit në një shkollë fillore në fshatin Podgorcë, ku siç thuhet, Merko ka caktuar person që nuk i ka plotësuar kushtet, gjegjësisht nuk ka pasur përvojë pune së paku pesë vjet në punë edukative, siç parashihet në Ligjin për arsimin fillor.
“Ndonëse nuk i ka plotësuar kushtet, personi ka mbajtur detyrën e drejtorit në periudhën prej datës 11.11.2022 deri më 25.04.2023.”, thonë nga PTHP-Strugë. Në rastin e dytë akuzohen katër persona, në mesin e të cilëve është kryetari i Strugës, Merko; një mësues i gjuhës frënge; drejtori dhe ndihmësdrejtori i shkollës. Për vepër të ngjashme, Merko pritet të dalë para gjykatësit më 22 maj.
Prokuroria së fundi ka hapur lëndë për emërimin e paligjshëm të ushtruesit të detyrës në shkollën fillore në fshatin Llabunishtë.
Merko po hetohet edhe për rastin e blerjes së automjetit Audi A6 me vlerë 70 mijë eurosh dhe tre vetura të tjera për nevoja të komunës.
Kryetari i Strugës është edhe në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
