Gërvalla: Oferta për Asociacionin e humbi relevancën
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla....

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se oferta e Kosovës që deri në fund të majit të përpilohet drafti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që u dërgua në Asamblenë e Këshillit të Evropës, e ka humbur relevancën pas mbledhjes së Komitetit të Ministrave.
Ajo ka theksuar se lënia jashtë agjendës e çështjes së Kosovës në Komitetin e Ministrave në Këshillin e Evropës është në shpërputhje me thirrjen e Asamblesë Parlamentare.
“Ky qëndrim është në shpërputhje me thirrjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila në opinionin e saj tha se Kosova duhet të anëtarësohet, pa parakushte shtesë. Duke qenë se vendit i ishte vendosur një parakusht i vonshëm, joformal e arbitrar, Qeveria e Republikës së Kosovës, dje bëri një propozim (përmes një oferte të shënuar në një komunikim përmes letrës drejtuar KiE-së) të arsyeshëm për tejkalimin e bllokadës, që kishte krijuar ky parakusht i fundit. Edhe pse oferta jonë, e konsultuar me partnerë të shteteve anëtare, në këmbim të një vendimi pozitiv, sot në Komitet të Ministrave ofroi një platformë të gjerë të punës së përbashkët, ajo ofertë nuk u mor parasysh. Rrjedhimisht ajo letër me ofertë e humbi vetvetiu aktualitetin dhe relevancën pas mbledhjes së sotshme të Komitetit të Ministrave.”, ka shkruar ajo në Fejsbuk.
Gërvalla ka shtuar se disa shtete anëtare zgjodhën të mbështesin fushatën lobuese të Serbisë kundër Kosovës. Është shprehur se Kosova nuk ka lënë gur pa lëvizur, “gjithnjë përbrenda kushtetutshmërisë e ligjshmërisë, për interesin e Kosovën”.
