Botë
Konflikti Rusi – Ukrainë, luftime të ashpra në Kharkiv
18.05.2024 16:12
Beteja të ashpra po zhvillohen në frontin e ri ushtarak në Ukrainë...

Beteja të ashpra po zhvillohen në frontin e ri ushtarak në Ukrainë, në rajonin e Kharkivit. Komandanti Suprem i Forcave të Armatosura të Ukrainës paralajmëroi se janë duke u zhvilluar luftime të ashpra. Në 24 orët e fundit janë regjistruar 101 përleshje ushtarake.
Presidenti ukrainas Zelenski thotë se është e rëndësishme të parandalohet Rusia ta zgjeroj luftën. Ai hodhi poshtë idenë e një armëpushimi në luftë gjatë Olimpiadës së Parisit, për të cilën ka shprehur dëshirë presidenti francez Makron.
“Ne nuk jemi kundër armëpushimit dhe nuk jemi kundër përfundimit të luftës. Por ne duam një fund të drejtë të luftës. Dhe ne jemi kundër çdo armëpushimi që është në favor të armikut. Është e qartë pse, thjesht nuk dua t'i lë ata të marrin më shumë nga territori ynë”, u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Gjermania kërkoi të dërgonte armë me rreze të gjatë në Kiev për shkak të situatës dramatike në front. Nga ana tjetër, presidenti rus Putin tha se forcat e Moskës në zonë po krijojnë një zonë tampon për të mbrojtur rajonet kufitare ruse dhe se qëllimi i tyre ende nuk është të kapin Kharkivin. Banorët që kanë mbetur në zonë thonë se janë lodhur nga lufta.
“I lutem Zotit që t'i largojë rusët”, theksoi banori i Kharkivit.
“Ukrainasit dhe banorët e Kharkivit tashmë janë mësuar me këtë. Është shumë e trishtueshme të shohësh gjithë këtë, sepse fëmijërinë time do ta kujtoj me shpërthime, granatime, dua të qaj”, u shpreh banorja e Kharkivit.
Kina u ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të bëjnë diçka praktike për të zgjidhur politikisht krizën e vazhdueshme në Ukrainë, në vend që të hedhin fajin.
“Kina nuk është as krijuesi i krizës dhe as palë në të. Ne kemi qenë gjithmonë në anën e paqes dhe dialogut. Ne i bëjmë thirrje palës amerikane të ndalojë së fajësuari Kinën, të ndalojë përpjekjet për të krijuar një pykë midis Kinës dhe Evropës, të ndalojë derdhjen e benzinit në zjarr dhe të bëjë diçka praktike për një zgjidhje politike të krizës ukrainase”, theksoi zëdhënësi i MPJ-së kineze Vang Venbin.
Kjo deklaratë vjen pasi një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit, pas vizitës së presidentit rus në Kinë, tha se Pekini nuk mund të ketë marrëdhënie të mira me vendet evropiane dhe në të njëjtën kohë të mbështesë Moskën, duke e quajtur Rusinë një kërcënim për sigurinë e vendeve evropiane, përfshirë Ukrainën.
ERSAN PAJAZITI
