Maqedoni

Bisedimet për qeverinë e re, Musliu: Kujdes të arriturat e shqiptarëve

19.05.2024 17:07

Palët negociatore VMRO – DPMNE dhe VLEN në formimin e qeverisë së re...

Palët negociatore VMRO – DPMNE dhe VLEN në formimin e qeverisë së re, theksin e bashkëpunimit duhet vënë në respektimin e të arriturave mbi dy dekadëshe të shqiptarëve, vlerëson analisti politik Albert Musliu. Sipas tij këto vlera nuk duhet ndryshuar, ndërkohë që nuk duhet lënë anash edhe ndarjen adekuate të dikasterëve.   
 
“Sa i përket theksit ku duhet të vehet, gjithsesi se duhet të jetë në ndarjen e mirë të qeverisjes, dmth në një qeverisje efektive dhe mos lejimin e ndërhyrjes në pëfitimet kolektive të shqiptarëve, të cilat janë zhvilluar 23 vitet e fundit. Mendoj se kjo është kruciale, pavarësisht prej përkatësisë në cilin koalicion kush është, kjo është parakusht primar me qëllim që shqiptarët të mos ndjehen të zhgënjyer ose se janë futur në procese retrograde”, u shpreh analisi politik Albert Musliu.
 
Musliu: Ndryshimet kushtetuese, në afat të arsyeshëm
 
Qeveria e re do të ketë në fokus luftën kundër korrupsionin, sigurimin e sundimit të së drejtës, qeverisjen e mirë, por avancimi në integrimet evropiane fillon me ndryshimet kushtetuese, thotë Musliu. Ai konsideron se duhet të kërkohet afat I logjikshëm për jetësimin e ndryshimet kushtetuese, si parakusht parësor për integrimin.
 
“Është shumë e qartë se mund të jetë kusht për bashkëqeverisje të jenë ndryshimet kushtetuese, por jo në mënyrë paraprake, mos të kushtëzohet krijimi i qeverisë paraprakisht me ndryshimet kushtetuese, ajo është më se e qartë. Unë uroj që mos të bëhen kompromise lidhur me ndryshimet kushtetuese, të jetë një afat, sado që të jetë, por mos të jetë shumë i gjatë, ngase ajo do të ketë mundësi devijimi dhe narrativit të qeverisë së re, veçanarisht të partnerit më të madh, siç e pamë, siç ndodhi me kryetarin edhe kishim një reaksion shumë të vrullshëm nga partnerët evropian, veçanarisht nga fqinjët Greqia dhe Bullgaria. Pra, të insistohet që aty të ketë një narrativ pak më të matur edhe mundësisht të bëhen përpjekje që të sigurohen garanca të reja se nuk do të ketë kërkesa jo normale dhe jo të natyrshme nga pala bullgare”, theksoi Musliu.
 
Sa i përket projektit Ballkani i Hapur, Musliu thotë se pritet për t’u parë se si do të shkoj ky zhvillim, edhe përkundër afërsisë goxha të madhe të mandatarit të ri me fqiun tonë verior. Ecuria e mëtejme e kësaj inicijative rajonale, sipas Musliut do të varet edhe nga përkushtimi i Shqipërisë, si bashkëpartnere e Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.
 
MERAL ISMAILI