Maqedoni

Vera 2024, pritet sezon i mirë turistik në Strugë dhe Ohër

19.05.2024 17:29

Sezoni turistik veror tashmë ka fillar...

Që nga fillimi i majit me festat që pasuan, turistë të shumtë kanë vizituar dy qytetet në Liqenin e Ohrit. Megjithatë fluksi i turistëve të huaj pritet në muajin qershor, korrik dhe gusht.
 
Hotelierët thonë se pjesa më e madhe e rezervimeve janë bërë, ndërsa janë optimist se ky sezon do të kalojë pritshmëritë e sezonit të kaluar veror, i cili konsiderohej si më i mirë në vitet e fundit. Sipas shoqatës së hotelierëve, vendi ynë vazhdon të mbetet një nga vendet më të lira për pushime në krahasim me vendet tjera të rajonit. 
 
“Vitin e kaluar kishim një tejkalim të sezonit më të mirë deri më tani që nga viti 2019, këtë vit presim që të paktën ti mbajmë mysafirët e vitit të kaluar, me një rritje të ëmbël. Jemi në listën e vendeve më të lira në krahasim me vendet e rajonit, Greqisë, Shqipërisë e kështu me rradhë, kësht që një pjesë e e mysafirëve me tur operatorë që janë nga Turqia, Hollanda, Polonia që janë të rregullt, tashmë kanë bërë rezervime, ndërsa pritet që numri i mysafirëve tjerë të jetë në rritje”, u shpreh kryetari i HOTAM, Krste Blazheski.
 
“Ka rezervime të mjaftueshme, presim akoma më mirë, tash nuk e dim si do të jetë sezoni, por jemi pozitiv në këtw aspekt që do të ketë edhe këtë verë siç patëm edhe verën e kaluar”, theksoi menaxheri i hotelit Visar Lumani.
 
“Deri tani jemi të plotësuar mbi 70% për sezonin veror, ka periudha ku nuk kemi dhoma të lira kështu që rezervimet janë premtuese, dhe shpresojmë që kështu të jetë”, u shpreh menaxherja e hotelit Ana Jançeva.
 
Hotelierët ankohen se mungojnë punëtorë
 
Megjithëse nga vitit në vit sezoni veror përmirësohet, thellohet edhe mungesa e punëtorëve në sektorin e hotelierisë. Një pjesë e madhe e punëtorëve lokal, largohen drejt vendeve tjera për kushte më të mira.
 
Një pjesë e hoteleve dhe objekteve gastronomike në Ohër tashmë kanë gjetur zgjidhje me punëtorë të huaj, nga vendet e largëta si India dhe Filipinet. Ndërsa ndryshe nga Ohri, në Strugë hotelet ende janë duke punuar me punëtorë locale.
 
“Nuk kemi akoma punëtorë nga jashtë janë punëtorët tone të Strugës dhe rrethinës”, theksoi menaxheri i hotelit Visar Lumani.
 
“Çdo vit është shqetësues mungesa e punëtorëve, çdo vit është më rëndë, shumë prej nesh në përgjithësi ikin jashtë vendit, megjithatë, deri më tani nuk kemi planifikuar të punësojmë punëtorë të huaj, mbahemi ende me punëtorët tanë dhe shpresoj të jetë kështu edhe në të ardhmen”, u shpreh menaxherja e hotelit Ana Jançeva.
 
Këtë sezon turistik pritet të rikthehen edhe turistët të cilët vizitonin Liqenin e Ohrit para pandemisë. Megjithatë, për turistët nga Kina, të cilët kanë qenë të shumtë para pandemisë, ndryshe nga vendet tjera të rajonit, në vendin tone kërkohen procedura të shumta për vizë. Nga shoqata e hotelierëve thonë se ky është një problem për ta, që duhet qeveria ta lehtësojë. 
 
ILMIJE ZHAKU