Botë

Izrael-Hamas, protesta në Izrael, përçarje në qeverinë e Tel Avivit

19.05.2024 18:35

Mijëra aktivistë u mblodhën mbrëmë në qendër të Tel Avivit...

Mijëra aktivistë u mblodhën mbrëmë në qendër të Tel Avivit duke kërkuar zgjedhje të parakohshme dhe një marrëveshje të menjëhershme për lirimin e pengjeve. Demonstruesit akuzojnë kryeministrin izraelit Netajahu se ka vënë në plan të parë interesat politike.
 
“Kjo qeveri po e çon vendin tonë atje ku nuk dua ta shoh. Kudo që shkojmë shoh korrupsion, mungesë shprese, mungesë vizioni, shoh mediokritet”, u shpreh protestuesi.
 
“Para së gjithash dua të kthehen të 132 pengjet, prandaj jam në rrugë. Dhe ne kemi nevojë për zgjedhje, ne duhet të ndryshojmë qeverinë tone”, theksoi protestuesi.
 
Revoltë shtesë shkaktoi njoftimi i ushtrisë izraelite se përveç trupave të tre izraelitëve, gjetën edhe një trup tjetër pengjesh. Duke cituar inteligjencën, ushtria tha se të gjithë u vranë më 7 tetor.
 
“Ron Benxhamin u vra brutalisht nga Hamasi dhe trupi i tij u rrëmbye në Gaza. Ai u identifikua dje dhe u soll në Izrael për varrim”, u shpreh zëdhënësi i forcave të armatosura të Izraelit, Daniel Hagari.
 
Ushtria izraelite tha se vazhdon të operojë në Jabalia dhe Rafah. Ndërkohë që po mbërrijnë ndihmat humanitare përmes korridorit amerikan, palestinezëve u është kërkuar të evakuohen në veri të Gazës. Ndërkohë, përçarja në kabinetin ushtarak izraelit po thellohet. Beni Ganc ka paralajmëruar se do të tërheqë partinë e tij të qendrës Bashkimi Kombëtar nga qeveria emergjente.
 
“Diçka shkoi keq. Nuk u morën vendime thelbësore. Veprimet e udhëheqjes së nevojshme për të siguruar fitoren nuk u ekzekutuan. Ndërsa ushtarët izraelitë tregojnë guxim të jashtëzakonshëm në vijën e frontit, disa nga njerëzit që i dërgojnë në betejë sillen si frikacakë dhe me mungesë përgjegjësie. Ndryshimi është i nevojshëm këtu dhe tani”, theksoi Beni Ganc,  ministër në kabinetin ushtarak të Izraelit.
 
Gantz përshkroi një plan prej gjashtë pikash që përfshin kthimin e pengjeve, fundin e sundimit të Hamasit, çmilitarizimin e Rripit të Gazës dhe krijimin e një administrate ndërkombëtare të çështjeve civile me bashkëpunimin e SHBA, Evropës, Arabisë dhe Palestinës.
 
Netanyahu pretendon se kërkesat e Gantz do të çojnë në përfundimin e luftës, por edhe humbjen e Izraelit. Ai akuzoi partnerin e koalicionit se i ka dhënë ultimatum kryeministrit në vend të Hamasit.
 
ERSAN PAJAZITI