Maqedoni
Shqiptarët, në vende udhëheqëse vetëm me 14.4%
13.04.2015 15:24
Parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat nuk gjen zbatimin e duhur në institucione...

Bashkësia maqedonase vazhdon të jetë e përfaqësuar në institucione me 73.9%, ndërsa në vende udhëheqëse me 80.03%.
Përfaqësimi i shqiptarëve edhe pse ka shënuar rritje për 1.4%, krahasuar me vitin 2013, sërish mbetet në kuotën 19.5%. Në vende udhëheqëse shqiptarët përfaqësohen me vetëm 14.4%.
Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat nuk gjen zbatim as në institucionin Presidencë, i cili duhet të jetë simbol i unitetin kombëtar dhe të reflektojë realitetin multietnik të vendit.
Nga gjithsej 44 të punësuar, 39 janë maqedonas, ndërsa shqiptarët janë të përfaqësuar njësoj si bashkësia vllehe, me vetëm dy të punësuar, ose me 4.5%.
Gjendja konstatohet nga Avokati i Popullit, i cili të martën duhet të prezantojë raportin vjetor para deputetëve në kuvend, në të cilin rëndësi e posaçme i kushtohet edhe përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.
“Nga analiza e të dhënave, Avokati i Popullit konstatoi se është shënuar progres i lehtë kuantitativ, përkatësisht progres iluzor dhe jokualitativ dhe real, në zbatimin e parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, por njëherësh konstatoi edhe ekzistimin e një numri të madh të institucioneve, të cilat nuk e kanë arritur nivelin e domosdoshëm të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat”- thuhet në raport.
Nga analiza e të dhënave, Avokati i Popullit me shqetësim konstaton se vite me radhë është prezente dukuria e zbatimit jocilësor të parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.
Sipas këtij institucioni, në mënyrë të pamjaftueshme është zbatuar parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, veçanërisht tek kuadri udhëheqës.
“Përsëri është i pranishëm konstatimi se tek prokuroritë publike, institucionet ndëshkuese-korrektuese dhe shëndeti publik, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat ende është në nivel të pakënaqshëm, ndërsa tek disa institucione niveli i zbatimit të këtij parimi është i ulët”- thuhet në raport.
Ndërkaq, ekzistojnë institucione të cilat përveç që nuk respektojnë parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, ata nuk honepsin as institucion AP.
“15 institucione edhe përkrah urgjencave me shkrim dhe kontakteve telefonike, si dhe informatës së dërguar deri te Qeveria e Republikës së Maqedonisë, nuk dërguan përgjigje. Kështu që nuk janë pranuar të dhëna nga: Ministria e Shëndetësisë, Agjencia Nacionale për Teknologji Nukleare, Klinika e Kirurgjisë Digjestive, Prokuroria Publike Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe disa institucione të tjera arsimore dhe kulturore” – njofton Avokati i Popullit.
SHPËTIM NUREDINI
