Botë

Iran, humbi jetën presidenti Raisi

20.05.2024 09:37

Asnjë i mbijetuar nuk u gjet në vendin e rrëzimit të helikopterit që mbante presidentin e Iranit Ebrahim Rais...

Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi dhe shoqëruesit e tij, përfshirë ministrin e Jashtëm, Hosein Amir-Abdollahian, kanë humbur jetën si pasojë e rrëzimit të helikopterit me të cilin po udhëtonin në veriperëndim të Iranit.
 
Ekipet e shpëtimit bënë përpjekje të mëdha për ta gjetur helikopterin, i cili, siç thanë autoritetet iraniane, u rrëzua si pasojë e gjendjes së keqe atmosferike në bjeshkët iraniane më 19 maj. Helikopteri i Raisit po kthehej nga qyteti Tabriz, kur u rrëzua në afërsi të qytetit Jolfa. Televizioni shtetëror fillimisht e kishte përshkruar si “ulje të vrazhdë”, por disa media raportuan menjëherë se helikopteri u rrëzua derisa po e kalonte një zonë malore. 
 
Pas aksidentit fatal, kabineti i presidentit të Iranit ka thirrur takim emergjent. Ligji iranian thekson se nëse vdes presidenti, atëherë pushteti i kalohet zëvendëspresidentit të parë. Një këshill, i përbërë nga kryetari i Parlamentit, kryetari i Gjyqësorit dhe nga zëvendëspresidenti i parë, duhet ta organizojë emërimin e presidentit të ri brenda 50 ditësh. 
 
Aktualisht Mohamad Mohber është zëvendëspresidenti i parë i Iranit. Zyrtarë ndërkombëtarë, përfshi presidentin e Këshillit Evropian, Çarls Majkëll, por edhe ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, si dhe organizata palestineze Hamas, e cila është cilësuar si organizatë terroriste nga ShBA-ja, kanë shprehur ngushëllime pas aksidentit.