Kriza politike, erdhi koha e raundit të dytë të bisedimeve në Bruksel

13.04.2015 15:40

Pavarësisht rezultateve nga bisedimi i VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së në Bruksel, afrohet koha e raundit të dyte të negociatave, ku ndërkombëtarët do të tentojnë të gjejnë zgjidhje për krizën politike në Maqedoni...

Analisti, Albert Musliu, shprehet se komuniteti ndërkombëtar i jep kohë elitës politike në vend, që të gjejnë një mes dhe të përafrojnë qëndrimet e tyre.

“Ndërkombëtarët akoma i japin kohë elitës politike në Maqedoni, veçanërisht LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, që të arrijnë ndonjë kompromis se si të tejkalohet kriza. Ne kemi njërën palë, e cila tash insiston në zgjidhje juridike, pala tjetër e cila insiston në zgjidhje politike. Ato qëndrime do duhet të përafrohen, e nëse nuk afrohen mendoj se edhe partnerët tanë ndërkombëtarë do të fillojnë të jenë më të qartë dhe më të ashpër gjatë periudhës që vjen”- deklaroi analisti, Albert Musliu.

Por, analisti Musliu shprehet se për zbatimin e marrëveshjes eventuale politike që mund të arrihet mes VMRO-së dhe LSDM-së është i domosdoshëm faktori politik shqiptar.

“Për fazën e marrëveshjes politike gjithsesi se duhet të inkuadrohen më shumë parti, sepse ajo do të nënkupton marrëveshje politike, marrje obligimesh, nënshkrime, eventualisht marrëveshje politike. Pra, ajo nuk mund të kalojë vetëm me qëndrimin dhe vendimin e këtyre dy subjekteve”- tha analisti, Albert Musliu.

Ndryshe, në raundin e parë të bisedimeve në Bruksel nuk u arrit asnjë afrim i qëndrimeve mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së. LSDM-ja nuk ka lëvizur nga qëndrimi se dalje e vetme nga kriza është dorëheqja e qeverisë aktuale dhe formimi i qeverisë kalimtare, me mandat të organizohen zgjedhje të pavarura dhe korrekte.

Ndërsa kjo kërkesë është e papranueshme për VMRO-në, e cila vazhdon të mbajë qëndrimin e saj fillestar se nuk do të marrë pjesë në asnjë qeveri që nuk ka marrë paraprakisht legjitimitetin në zgjedhje. (Sanije Kasami, TVM2)