Maqedoni
Rivotimi në 7 vendvotime, KShZ: Në mesnatë fillon heshtja parazgjedhore
20.05.2024 10:44
Sonte në mesnatë fillon heshtja parazgjedhore për rivotimin në shtatë vendvotime për zgjedhjet parlamentare...

Sonte në mesnatë fillon heshtja parazgjedhore për rivotimin në shtatë vendvotime për zgjedhjet parlamentare, në njësinë e pestë dhe të gjashtë zgjedhore.
Rivotim do të ketë në Dollnen, Krushevë, Strugë, Ohër dhe Zhelinë. Për rivotim do të vlejnë të njëjtat lista për personat me probleme shëndetësore për të cilët nuk do të ketë mundësi ri regjistrimi. Rivotimi mbahet me vendim të KShZ-së pasi Gjykata Administrative i rrëzoi si të pabazuara shtatë paditë e “Frontit Evropian”, të ngritura kundër vendimeve të KShZ-së në lidhje me zgjedhjet e 8 majit.
KShZ-ja në seancën e 105-të njëzëri e miratoi propozimin për përsëritjen e votimit në njësinë e pestë zgjedhore në vendvotimet 1470 dhe 1470/1 në komunën e Dollnenit, 1194 dhe 1202 në komunën e Krushevës, 1844 në Strugë dhe 1272 në komunën e Ohrit, si dhe në njësinë e gjashtë zgjedhore në vendvotimin 2101 në komunën e Zhelinës.
Nga koalicioni VLEN e kanë përshëndetur vendimin për rivotim, duke theksuar se në ato vendvotime ka pasur parregullsi, prandaj duhet respektuar vullneti i qytetarëve. Ndërsa nga “Fronti Evropian”, duke shprehur mospajtim kanë theksuar se bëhet fjalë për inxhiniering zgjedhor.
