Maqedoni

Maturantët me ethe, filluan përgatitjet për mbrëmjen e maturës

13.04.2015 16:05

Kanë filluar ethet e pritjes së natës më madhështore për maturantët. Edhe pse muaji maj ka ende kohë që të vijojë, ka muaj të tërë që...

Kanë filluar ethet e pritjes së natës më madhështore për maturantët. Edhe pse muaji maj ka ende kohë që të vijojë, ka muaj të tërë që, sidomos vajzat, kanë filluar përzgjedhjen e modeleve të fustaneve të tyre.
 
Mbrëmja e maturës për këtë moshë është eventi më i rëndësishëm i jetës, pasi shënon fillimin e rritjes. Është një natë që çdoherë do të mbetet e pashlyer në kujtesën e tyre.
 
Siç thonë ata, do t’i mbajnë në mend çastet e hidhura në bankat shkollore, por edhe përjetimet e bukura, pse jo edhe ato të dashurisë së parë.
 
Disa parapëlqejnë të jenë më modestë, të tjerët më atraktiv, por secili dëshiron të duket i veçantë për këtë mbrëmje.
 
“Po, bëjmë disa përgatitje. Për ne mbrëmja e maturës është një gjë shumë e madhe, sepse mblidhemi në një natë të gjithë maturantët”- u shpreh një maturante.
 
“Sikurse të gjithë shkollat e mesme, gjithashtu edhe shkolla jonë ka filluar me përgatitjet e pritjes së maturës. Mbrëmja te ne do të bëhet më 22 maj dhe kemi përzgjedhur edhe sallonet e bukurisë, kemi zgjedhur edhe fustanet të cilët do t’i veshim, kemi bërë përgatitje edhe para mbrëmjes së maturës ku do të shkojmë diku të festojmë së bashku”- tha një maturante.
 
“Unë akoma janë në fazën e kërkimit të fustaneve”- theksoi një maturante.
 
“Kanë filluar përgatitjet dhe bashkë me të kanë filluar edhe emocionet për maturën”- potencoi një maturante.  
 
Sallonet e bukurisë dhe veshjeve kanë shumë punë në këtë periudhë. Maturantet gjithnjë e më shumë po interesohen për fustane sa më të veçanta ose kostume sa më në trend me modën.
 
Parukeritë estetike veç më të gjitha janë të zëna që para dy muajve.
 
Për dallim nga vitet e kaluara, këtë vit maturantet preferojnë model sa më natyral të flokëve, që t’u ngjasojnë me vetën.
 
“Përgatitjet e maturës kanë filluar që para dy muajve. Maturantet kanë filluar të rezervojnë termine, interesim të madh ka shumë. Shumica e maturanteve dëshirojnë të jenë më natyrale, t’i kenë flokët me kaçurrela dhe të duken si në moshën e tyre, të mos duken si nëpër ahengje të dasmave etj. Mirëpo ka edhe maturante të cilat transferohen në persona të tjerë, dëshirojnë dhe bëjnë ndryshime të theksuara me ngjyrosjen e flokëve”- tha parukerja, Sadete Elezi.
 
Ndryshe nga maturantët, prindërit e semimaturantëve duket se do të kalojnë me më pak harxhime. Madje ka prindër që thonë se fëmijët nuk kanë nevojë t’i kushtojnë vëmendje aq të madhe kësaj mbrëmje, duke marrë parasysh se arsimi fillor është i detyrueshëm.
 
“Vlerësoj se prindërit në këtë kohë janë të ngarkuar me shumë shpenzime të shumta, mirëpo mendoj se ia vlen, duke marrë parasysh se maturantët tashmë kalojnë në fazën e pjekurisë dhe duhet shënuar si e tillë. Nuk jam shumë dakord kur bëhen ahengje të mëdha për semimaturantët, duke marrë parasysh se ata nuk janë personalitete të formuar”- tha një prindër. 
 
Por, edhe arsimi i mesëm në Maqedoni është i detyrueshëm, megjithatë po ashtu si një detyrim i pashmangshëm është bërë edhe mbrëmja e maturës, për të cilën maturantët, sidomos, përgatiten që në fillim të vitit të katërt.
 
Por, përkrah përgatitjeve për veshje dhe grim, maturantët përgatiten edhe për maturën shtetërore, si kusht për regjistrim në fakultet, sepse pas festimeve në maj të mbrëmjeve të maturës, përgatitja e tyre për jetën që i pret duhet të fillojë menjëherë me përgatitjet për regjistrimin nëpër fakultete.
 
Pjekuria e tyre duhet të fillojë menjëherë pas mbrëmjes së maturës, sepse i pret jeta me të gjitha vështirësitë e saj. 
 
REXHEP QAMILI