Botë
PDK-ja propozon dy data për zgjedhje të parakohshme, Vetëvendosje: Opozita duhet të ketë qëndrim unik për zgjedhje
20.05.2024 14:58
Partia Demokratike e Kosovës propozon dy data për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme....

Partia Demokratike e Kosovës propozon dy data për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Abelard Tahiri, nga PDK-ja ka thënë se datat 30 qershor ose 7 korrik, janë datat kur Kosova duhet të shkojë në zgjedhje, ndërsa të enjten e ardhshme duhet të shpërbëhet Kuvendi.
“Jemi në afatet e fundit kohore kur duhet të procedohet me mocionin për shpërndarjen e Kuvendit, në mënyrë që vendi ynë t’u drejtohet kutive të votimit më 30 qershor ose 7 korrik, siç kemi propozuar. E them para jush që data 30 maj është data e fundit kur Kuvendi i Kosovës duhet të shpërndahet, në mënyrë që vendi ynë t’i kap afatet kohore 30 qershor apo 7 korrik, siç i kemi propozuar datat për zgjedhje të parakohshme si PDK-ja.”, - deklaroi Abelard Tahiri nga PDK.
Por, koordinatorja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila, ka thënë se për t’u shqyrtuar kërkesa që Kosova të shkojë në zgjedhje, nevojitet qëndrim unik i opozitës.
“Ne jemi deklaruar si pozitë se në rast se ka një unitet nga grupet parlamentare të opozitës për shpërndarje të Kuvendit, ne e mbështesim. Asnjëherë nuk kemi thënë se kemi frikë nga shkuarja në zgjedhje apo rikonfirmimi i mandatit tek sovrani, megjithatë nuk mund ta bëjmë këtë me vetëm njërin grup parlamentar të opozitës. Opozita duhet të jetë e unifikuar në qëndrimin e saj. Në fund të fundit opozita është ajo që kërkon zgjedhje apo ndryshim të qeverisjes.”, - theksoi Mimoza Kusari Lila nga Vetëvendosja.
Por partitë opozitare ende nuk kanë arritur ndonjë dakordim, pasi derisa PDK-ja propozon të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare nëpërmjet shpërbërjes së Kuvendit, AAK-ja dhe LDK-ja kërkojnë dorëheqjen apo shkarkimin e Qeverisë nëpërmjet mocionit të mosbesimit, me çka nuk pajtohet Vetëvendosja.
GYLTENE SINANI
