Botë
Irani humb presidentin dhe ministrin e jashtëm, Teherani shpall pesë ditë zie
20.05.2024 15:51
Presidenti iranian Ebrahim Raisi dhe ministri i Jashtëm i këtij vendi, Amir Abdullaihan...

Presidenti iranian Ebrahim Raisi dhe ministri i Jashtëm i këtij vendi, Amir Abdullaihan, kanë gjetur vdekjen si pasojë e rrëzimit të helikopterit. Ngjarja ka ndodhur gjatë kthimit nga Azerbajxhani kur helikopteri është ndeshur me mjegulla të dendura.
“Definitivisht Raisi ishte personalitet i njohur dhe është vështirë të zëvendësohet. Mungesa e tij do të ndjehet gjithmonë, por shpresoj se njerëzit do të gjejnë zëvendës që do të shkojë pas rrugës së njëjtë.”, - tha një banor i Teheranit.
“Ai përpiqej t’i realizonte obligimet e tij si duhet, por mendoj se nuk ishte i suksesshëm aq sa duhej.”, - tha një banor tjetër i Teheranit.
Sipas Kushtetutës, nënkryetari i shtetit e merr funksionin e presidentit përkohësisht dhe ka kohë prej 50 ditëve që t’i organizojë zgjedhjet. Edhe zëvendësministri kalon në pozitën e ushtruesit të detyrës së diplomacisë shtetërore.
“Shpall pesë ditë zie dhe i shpreh ngushëllime popullit të dashur të Iranit. Sipas Kushtetutës, z. Mogber do të jetë i obliguar të menaxhojë me pushtetin ekzekutiv dhe ka për detyrë të organizojë zgjedhjen e presidentit të ri në afat prej 50 ditëve.”, - theksoi udhëheqësi suprem, Ali Khamenei.
Mesazhe ngushëllimi për vdekjen e presidentit iranian shprehën Rusia, Kina, Turqia, Siria dhe vende të tjera. Keqardhje për Teheranin shprehën edhe grupet militante të Hezbollahut, Hutit dhe Hamasit.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
