Përleshje me armë në veri të Mitrovicës, dy persona kanë mbetur të plagosur
Dy persona kanë mbetur të plagosur me armë zjarri mbrëmë pas mesnate në lokalin “Crna Dama” në veri të Mitrovicës, bëjnë të ditur mediat në Kosovë...

Mësohet se në vendngjarje janë gjetur gëzhoja dhe plumba të pashkrepur. Sipas këtyre burimeve, personat e përfshirë në këtë përleshje kanë sulmuar me armë edhe një automjet të policisë, por nuk ka policë të lënduar.
Incidenti ka ndodhur në një festë të organizuar për Pashkët ortodokse nga krerët e krimit në veri të Kosovës, i cili ka rezultuar me përleshje dhe të shtëna armësh, fillimisht para lokalit e më pas edhe në rrugët e qytetit, me ç’rast dy persona janë plagosur. Është sulmuar po ashtu edhe automjeti i policisë, ndërsa me armë dyshohet të ketë shtënë Vuk Joviq, djali i njërit nga krerët e krimit në veri, Sllavoljub Joviq, i njohur me nofkën “Pagi”.
Incidentin e ka konfirmuar edhe zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti, i cili ka thënë se incidenti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 1 e 20 min., ku janë përdorur edhe armët e zjarrit.
“Dy të rinj janë plagosur lehtë në këmbë dhe janë trajtuar në spitalin e veriut. Dyshohet se rrahja ka ndodhur në mes të dy grupeve të të rinjve nga Mitrovica dhe Zveqani, të cilët me gjasë kanë qenë nën ndikim të alkoolit, ndërsa akoma nuk dihen motivet”- ka thënë Hoti.
Sipas tij, kur policia ka reaguar për t’i dërguar të plagosurit në spital, persona të panjohur kanë sulmuar një automjet të policisë, i cili ndodhej në oborrin e këtij spitali, duke dëmtuar kështu xhamin dhe njërën gomë të automjetit. “Emrat e të dyshuarve të përfshirë në këtë incident janë të njohur për policinë dhe kjo e fundit është duke zhvilluar hetime intensive për kapjen e tyre dhe zbardhjen e rastit në tërësi”- theksoi Hoti. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
