Botë
Iran, ceremoni mortore për presidentin Raisi
21.05.2024 10:10
Në Iran po mbahet ceremonia mortore e presidentit Ebrahim Raisi, ministrit të Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian dhe personave të tjerë...

Në Iran po mbahet ceremonia mortore e presidentit Ebrahim Raisi, ministrit të Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian dhe personave të tjerë që humbën jetën nga rrëzimi i një helikopteri në fundjavë.
Lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, shpalli pesë ditë zie pas aksidentit tragjik. Në Tabriz, kryeqytetin e Provincës Azerbajxhani Lindor të Iranit, ku u rrëzua helikopteri më 19 maj, mijëra njerëz morën pjesë në një ceremoni në kujtim të zyrtarëve të vdekur. Autoritetet iraniane i kanë caktuar edhe disa ceremoni të tjera për presidentin Rais. Një e tillë është caktuar për të martën pasdite në qytetin Qom. Ceremoni të tjera do të mbahen në Teheran dhe Birjand më 22 dhe 23 maj, kur Raisi do të varroset në faltoren Imam Reza në qytetin e shenjtë Mashhad, raportuan mediat iraniane.
Ndërkohë Khamenei e emëroi Mohamad Mokhberin, i cili shërbeu si zëvendëspresident i Raisit, në detyrën e presidentit të përkohshëm. Ndërsa zëvendësministri i Jashtëm, Ali Baqeri Kani, u emërua ministër i Jashtëm në detyrë, njoftuan mediat iraniane.
