Maqedoni

Rivotimi në 7 vendvotime në njësinë e 5-të dhe 6-të, sot votojnë të sëmurët dhe të burgosurit

21.05.2024 10:49

Në shtatë vendvotime në njësitë zgjedhore 5 dhe 6, persona të sëmurë dhe të pafuqishëm...

Në shtatë vendvotime në njësitë zgjedhore 5 dhe 6, persona të sëmurë dhe të pafuqishëm, si dhe të burgosur, sot votojnë para rivotimit të nesërm për zgjedhjet parlamentare.

Rivotimi do të bëhet në vendvotimet 2101 në Zhelinë, 1194 në Krushevë, 1202 gjithashtu në Krushevë, 1272 në Ohër, 1470 në Dollnen, 1470/1 gjithashtu në Dollneni, si dhe në 1844 në Strugë. Të drejtë vote në këto qendra votimi kanë gjithsej 4.521 votues.  Katër të sëmurë dhe të pafuqishëm janë paraqitur që të votojnë në vendvotimin 2101 në Zhelinë, 20 në vendvotimin 1194 në Krushevë, tetë në 1202 në Krushevë, dy në vendvotimin 1272 në Ohër, shtatë në vendvotimin 1470 në Dollnen, dy në 1470/1 gjithashtu në Dollnen dhe katër të sëmurë dhe të pafuqishëm në vendvotimin 1844 në Strugë. Gjithsej pesë persona të cilët janë duke vuajtur dënimin me burg, mund të votojnë në burgjet në Prilep dhe Shkup, ndërsa dy persona do të mund të votojnë në shtëpitë e të moshuarve në Manastir dhe Karposh. 
 
Për shkak të përsëritjes së votimit për zgjedhjet parlamentare 2024 në shtatë vendvotime në njësitë zgjedhore 5 dhe 6, Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele ka njoftuar transmetuesit nacional dhe transmetuesit që transmetojnë program në zonën e Ohrit, Krushevës, Strugës, Dollnenit dhe Zhelinës se për ata vlejnë obligimet për heshtje zgjedhore, e cila ka filluar mesnatën e kaluar dhe do të zgjasë deri në orën 19:00 të 22 majit.