Maqedoni
Këshilli Gjyqësor, i hiqet imuniteti gjykatësit Georgiev
21.05.2024 11:11
Këshilli Gjyqësor ka vendosur t’ia heqë imunitetin një gjykatësi të Gjykatës Supreme...

Këshilli Gjyqësor ka vendosur t’ia heqë imunitetin një gjykatësi të Gjykatës Supreme, i cili u arrestua nën dyshimin se kishte marrë rreth 10 mijë euro ryshfet.
“Këshilli Gjyqësor i hoqi imunitetin gjyqtarit të Gjykatës Supreme të RSM-së, me qëllim të mbarëvajtjes së procedurës penale; aprovoi kërkesën për miratimin e paraburgimit të paraqitur nga gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit dhe e largoi përkohësisht gjyqtarin e Gjykatës Supreme nga ushtrimi i funksionit të tij gjyqësor, deri në përfundim të procedurës penale”, thuhet në njoftimin e Këshillit Gjyqësor.
“Gjykatësi është privuar nga liria gjatë kryerjes së veprës penale.”, bëri të ditur Ministria e Punëve të Brendshme me anë të një komunikate.
Sipas Policisë, gjykatësi Naqe Georgiev dyshohet për veprën penale “marrje të shpërblimit për ndikim të paligjshëm". Ai dyshohet se kishte premtuar masa lehtësuese në një procedurë gjyqësore ndaj ish-kryetarit të komunës së Novosellës, Boro Stojçev, i cili kohë më parë u arrestua për kontrabandë me lëndë narkotike. Nën dyshimin për përfshirje në këtë rast, policia ka ndaluar edhe Ixhet Memetin, anëtar i Këshillit të Prokurorëve Publik, të cilit i është bastisur edhe shtëpia.
