Botë
Aksion i Policisë së Kosovës në veri, mbyllen 6 filiale të “Bankës Postare Kursimore”, DASh: Aksioni u realizua pa koordinim
21.05.2024 11:30
Policia e Kosovës ka njoftuar për një aksion të zhvilluar sot në veri, ku u mbyllën gjashtë...

Policia e Kosovës ka njoftuar për një aksion të zhvilluar sot në veri, ku u mbyllën gjashtë filiale të të ashtuquajturës “Bankë Postare Kursimore” të Serbisë, ndërsa është konfiskuar edhe një sasi e konsiderueshme e parave.
“Operacioni policor i realizuar sot në veri të vendit, ku u mbyllen gjashtë njësi ilegale të të ashtuquajturës “Bankë Postare Kursimore”, rezultoi edhe me konfiskimin e provave të ndryshme materiale, siç janë; rreth 1.6 milion euro, rreth 74 milion e 700 mijë dinarë, rreth 19 mijë e 500 franga, rreth 13 mijë e 800 dollarë amerikanë dhe rreth 40 dollarë australianë.”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës. Në njoftim theksohet se në filialet e kësaj “banke” janë vendosur shenjat zyrtare për mbylljen e tyre. Pas këtij aksioni ka reaguar Departamenti amerikan i Shtetit duke theksuar se “ky veprim nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë” dhe se ai “përshkallëzon tensionet”. “Ai minon perceptimin se Kosova po vepron me vullnet të mirë për zgjidhjen e çështjeve mes saj dhe Serbisë përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, tha një zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, për Zërin e Amerikës.
“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si rruga e duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe t’u përgjigjet nevojave bazë të të gjithë qytetarëve të saj, përfshirë ato të pakicës serbe, e ndikuar negativisht nga ndryshimet e fundit në rregulloren për monedhën.”, përfundon zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.
