Maqedoni

Këshilli Gjyqësor hoqi imunitetin e gjykatësit, Naqe Georgiev

21.05.2024 13:03

Këshilli Gjyqësor hoqi imunitetin e gjykatësit të arrestuar, Naqe Georgiev, nga qyteti i Strumicës...

Këshilli Gjyqësor hoqi imunitetin e gjykatësit të arrestuar, Naqe Georgiev, nga qyteti i Strumicës dhe njëherit anëtarët e këtij Këshilli miratuan kërkesën për paraburgim dhe morën vendim për shkarkimin e tij të përkohshëm nga posti i gjyqtarit. Këtë vendim anëtarët e sollën në mbrëmjen e së hënës nën dyert e mbyllura, ku opinioni ishte i përjashtuar nga seanca e tyre. Në ndërkohë gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Penale është duke shqyrtuar kërkesën e prokurorit për t’i shqiptuar Georgievit masën e sigurisë dhe paraburgimit. 

“Gjyqtarit të lartë i hiqet imuniteti, për shkak të mbarëvajtjes së procedurës penale. Miratohet kërkesa për miratimin e masës së paraburgimit për gjyqtarin e Gjykatës së Lartë të paraqitur nga gjyqtari i procedurës paraprake të Gjykatës Themelore Penale, Shkup. Ai largohet përkohësisht nga ushtrimi i funksionit gjyqësor, gjyqtar i Gjykatës së Lartë, deri në zgjidhjen përfundimtare të procedimit penal.”, thuhet në komunikatën e Këshillit Gjyqësor.
 
PThP dyshon edhe tek një anëtar i Këshillit të Prokurorëve
 
Në ndërkohë, lidhur me po të njëjtin rast, gjatë mbrëmjes së të hënës me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake, është bërë bastisje në shtëpinë e nјë anëtari të Këshillit të Prokurorëve Publik, i cili dyshohet se së bashku me Naqe Georgievin kanë keqpërdorur pozitat e tyre, kanë kërkuar ryshfet, ku në këmbim të parave kanë premtuar se mund të krijojnë rrethana lehtësuese ndaj ish-kryetarit të NovoSellës, Boro Stojçev, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim, për shkak të dyshimit për kontrabandë me cigare. Jo zyrtarisht i dyshuari i dytë nga Këshilli i Prokurorëve është Ixhet Memeti. 
 
“Provat e mbledhura dhe kontrollet e deritanishme ofrojnë bazë ligjore që prokurori publik në fjalë të propozojë masën e paraburgimit vetëm për të dyshuarin e parë, i cili është kapur në kryerjen e veprës penale, ndërsa në lidhje me të dyshuarin e dytë deri në këtë moment, provat nuk japin bazë për të propozuar masën më të rreptë të sigurimit të pranisë. Hetimi vijon deri në kontrollin e plotë të të gjitha rrethanave dhe pretendimeve.”, thonë nga Prokuroria.
 
Georgievi u arrestua një ditë më herët në flagrancë teksa merrte  mitmarrje në vlerë prej 10 mijë eurosh. Por, hetimi i prokurorisë nuk është ndalur vetëm tek këto 10 mijë eurot e shënuara, që Georgievi ka marrë. Ai po ashtu ka marrë një edhe një sërë veprimesh tjera lidhur me rastin në fjalë edhe në zyrën dhe pronën e tij personale, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.  
 
REXHEP QAMILI