Ekonomi

Shporta minimale sindikale, një familjeje 4 anëtarëshe i duhen së paku 1.000 euro

21.05.2024 14:22

Vlera e shportës minimale sindikale për majin 2024 është 60.090 denarë...

Vlera e shportës minimale sindikale për majin 2024 është 60.090 denarë. Kjo i bie se për një familje 4 anëtarëshe duhen së paku 1.000 euro për ta kaluar muajin. Por, sipas Sindikatës, nëse një familje jeton me qira në një banesë prej 60 metra katrorë, shporta konsumuese rritet në 75.465 denarë. Për një muaj, sipas Sindikatës, më shumë para apo 21.689 denarë harxhohen për ushqim dhe pije. Kjo përbën 36.1% të buxhetit familjar. Për veshje dhe veshmbathje duhen 4.928 denarë ose 8.2% e buxhetit, për harxhimet e faturave 6.014 denarë, për transport 5.020 denarë, për higjienë 1.788, e kështu me radhë. Sindikata ka njoftuar se në krahasim me Prillin 2024, shporta konsumuese minimale është ulur për 122 denarë. 

“Një pagë mesatare dhe një pagë minimale mbulojnë shpenzimet bazë, përveç rasteve kur ka nevojë për të paguar qiranë dhe shpenzimet e tjera që ka një familje me 4 anëtarë. Fjala është për 60.090 denarë, nëse ai ka banesën e tij. Nëse ka nevojë për qira, për shembull një apartament prej së paku 60 metra katrorë, do të arrinte shuma deri në 75.465 denarë, kështu që nuk u mjaftojnë as tri paga minimale, ndërsa nëse keni nevojë për qira dy paga mesatare janë jo të mjaftueshme.”, - theksoi Lupço Radevski nga LSM.